Bashkëjetesa me vajza të mitura është shndërruar në dukuri shqetësuese në vendin tonë. Shumë shpesh raportohen raste kur vajzat krijojnë raporte të afërta me persona të moshave madhore. Madje jo rrallëherë ndodhë që nga martesat e hershme të bëhen edhe nëna, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë, por mjaft i çuditshëm është zbuluar së fundmi në Fushë Kosovë, ku Policia ka arrestuar një person, nën dyshimin se ka bashkëjetuar me një vajzë të mitur, të moshës 15-vjeçare.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se gjithçka u zbulua pasi vajza ishte dërguar në spital, për shkak se kishte probleme shëndetësore. Me të marrë informacionet, Policia nisi hetimet dhe si rezultat u kuptua se viktima që disa muaj ka jetuar me të dyshuarin dhe nuk dihet nëse kanë pasur marrëdhënie intime.
Sipas informacioneve të para, posa është identifikuar personi i dyshuar, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin për të cilin dyshohet.
Bazuar në dëshminë e të dyshuarit, i moshës 23-vjeçare, ai dhe e mitura që disa muaj janë martuar dhe jetojnë bashkë, por që sipas tij nuk ka qenë në dijeni se vajza i ka pasur 15 vjeç.
Ndërsa e mitura ka dhënë një deklaratë të çuditshme para hetuesve policorë, duke thënë se nuk e ka ditur as vetë që është 15-vjeçare.
Sinjali mëson se e mitura ka deklaruar po ashtu se prindërit e saj kanë tentuar që ta ndajnë nga personi me të cilin bashkëjetonte, por ajo i ka kërcënuar e paralajmëruar se nëse e pengojnë, do të bënte vetëvrasje.
Të gjitha detajet e rastit, dy palët i kanë rrëfyer në Polici dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti si “Bashkëjetesë me personin nën moshën 16-vjeçare”.
Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia e Kosovës.