Daja thotë se synon prezantim të denjë të futbollit të Kosovës në Evropë


Ilir Daja ka thënë se synimi i Ballkanit është prezantimi i denjë në Evropë i futbollit të Kosovës.

Kjo javë është e ndeshjeve të skuadrave kosovare në garat e kupave evropiane, ku në rrethin e parë të kualifikimeve për Champions League kampioni kosovar, Ballkani do të ndeshet me kampionin e Bullgarisë, Ludogorets. 

Trajneri i Ballkanit dhe futbollisti Armend Thaqi janë shfaqur para gazetarëve. 

“Në takimin e parë eliminator me një kundërshtar si Ludogorets është e vështirë, është fakti edhe në këtë pjesëmarrje të dytë në kupat eliminatore të kompeticioneve evropiane, të bëjmë më të mirën të mundshme, jemi të përgatitur, ekipi ka ardhur në formën e duhur. Duke u përballur me një vlerë akoma më të madhe se ne, duhet të japim më shumë se potenciali, duhet të japim shpirtin në fushë për shkak të përballjes me një ekip të fortë”, ka thënë Daja.“Ta prezantojmë futbollin e Kosovës denjësisht ashtu siç bëmë edhe në vitin e kaluar”.

Në anën tjetër, Thaçi ka thënë se kampioni bullgar nuk do ta ketë të lehtë. 

“E dimë që s’ka ndeshje të lehta, për neve s’janë të lehta, por edhe kundërshtarit do t’ia bëjmë jo të lehtë”, është shprehur Thaqi. “Shpresoj që nesër të jemi të motivuar dhe të bëjmë paraqitje të mirë, është një kundërshtar i fortë është skuadër e fortë, por nuk do të dorëzohemi, është një ndeshje e Ligës së Kampionëve, shpresoj se këtë vit do ta kalojmë turin e parë. Shpresoj se do të kemi rezultat të mirë për ndeshjen e kthimit”.

Ndeshja Ballkani-Ludogorets zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.