Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të rëndë që ka ndodhur të hënën pasdite në Spitalin Rajonal në Prizren, ku vdiq një grua, e cila fillimisht ishte transferuar nga Emergjenca e Suharekës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Vdekja e saj është cilësuar si e dyshimtë dhe tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e rastit.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se ky rast ka tronditur familjen Bytyqi nga fshati Semetisht i Suharekës, kur e morën lajmin për vdekjen e më të dashurës së tyre, Hylkijes.
54-vjeçare dyshohet se ka pasur shenja të depresionit dhe ka qenë në gjendje të rënduar emocionale, kur ishte pranuar në Qendrën Emergjente të Suharekës.
Sinjali mëson se posa Policia është njoftuar për vdekjen e saj, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, për të marrë informacionet e para për rrethanat e rastit.
Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar se me t’u përfunduar ekzaminimet e nevojshme, trupi i pajetë të tërhiqet për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Me vendim të tij, rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur në plotni të gjitha rrethanat në të cilat ka vdekur viktima.