Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në fshatin Vraniq të Suharekës, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se 37-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se është viktimë e dhunës sistematike në familje, por që më herët nuk e ka denoncuar të shoqin për shkak të kërcënimeve të tij.
Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari e ka kërcënuar se nëse ajo tregon për dhunën e përjetuar, do ta presë, do e vrasë, do e masakrojë në sy të familjes së saj e më pas do i vrasë edhe ata. Po ashtu ai e ka kërcënuar se do i vrasë të gjithë burrat në vendlindjen e saj, për të mos pasur kush të marr hak.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit, pasi që i njëjti ndodhet në arrati.
Viktima bashkë me fëmijët është dërguar në strehimore për shkaqe të sigurisë, ndërsa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’.