Lorenc Trashi pas fitores së Ballkanit: Kosova duhet ta ndryshojë mentalitetin

Mbrëmje magjike për Ballkanin, që mposhti kampionët e Ludogorets me rezultatin 2-0 në duelin e parë të Champions-it. Në lidhje me këtë sukses, foli edhe ish-futbollisti i Partizanit, Lorenc Trashi, i cili u bashkua me kampionët e Kosovës, në merkaton e janarit.

Në prononcimin e dhënë për mediat kosovare, pas suksesit të arritur ndaj skuadrës bullgare, Trashi, ndër të tjera u shpreh:  

“Kur kam ardhur në janar kam pasur vështirësitë e mia. Kam ardhur me shumë dëshirë duke e ndjekur ekipin në Ligën e Konferencës. Fillimi ishte shumë i vështirë, pasi jam aktivizuar në vetëm dhjetë ndeshjet e fundit. Por ia kam dalë mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Kur kam ardhur kam folur me presidentin dhe objektivat e tij nuk ishin vetëm kampionati. Kam ardhur me synime të qarta, që të kemi paraqitje dinjitoze edhe në Europë. Dua t’i falënderoj të gjithë. Sonte kemi bërë punë të mirë ndonëse kemi pasur përballë një ekip shumë të fortë. 

Mendimi im është që Kosova duhet të ndryshojë mentalitetin se si përfaqësohemi në garat evropiane. Nuk guxojmë të shkojmë inferiorë. Hapat janë shumë të mirë. Shpresoj që jo vetëm Ballkani por edhe ekipet tjera të paraqiten mirë. Ludogoretsi ka shkuar në grupet në Champions. Është ekip i madh dhe na vuri në vështirësi në fund. Për ndeshjen e kthimit nuk duhet të kemi eufori. Ka mbaruar vetëm njëra ndeshje”, ka shtuar Trashi.