“Ballkani, Ballkani im” – media kroate ‘ngrit në qiell’ kosovarët që shkaktuan tronditje në ‘Champions’

Fitorja e mbrëmshme e Ballkanit ndaj Ludogoretsit ka befasuar shumë kë. Kampioni i Kosovës mposhti kampionin e shumëfishtë bullgarë në ndeshjen e parë të vlefshme për kualifikimet në Ligën e Kampionëve.

Skuadra e vetme evropiane që ka arritur ta fitojë 12 herë me radhë kampionatin shtetëror, Ludogorets, është befasuar mbrëmë nga kampioni i Kosovës, Ballkani.

Fitorja me rezultat 2:0 e Ballkanit ka zënë faqet e shumë gazetave evropiane. Gazetat kroate, rumune, polake e hungareze, kanë shkruar për suksesin e arritur të Ballkanit në vetëm paraqitjen e dytë në garat evropiane.

“Ballkani, Ballkani, Ballkani: kampioni i Kosovës shkaktoi një tronditje të vërtetë ndaj Ludogorets”, është titulli i gazetës kroate, “Telesport”.

Në artikullin e gazetës kroate potencohet se kjo fitore do të hyjë në histori për futbollin kosovar, duke pasur parasysh dallimin e madh në letër mes dy skuadrave.

Sikurse kroatët edhe gazetat rumune e kanë cilësuar “tronditje” për Ludogoretsin humbjen e mbrëmshme ndaj Ballkanit.

“Shok për bullgarët para “dyfishit” me rumunët. Ludogorets, i mposhtur në Kosovë”, është titulli i gazetës rumune, “GSP”.

Përveç mediave të Ballkanit, për suksesin e arritur nga Kampioni i Kosovës kanë shkruar edhe mediat evropiane, si ato hungareze e polake.

“Sensacioni i parë në Champions League të këtij viti! Një gjigand në gjunjë”, është titulli i gazetës polake, “Sport”.

Edhe e përditshmja hungareze, “Csakfoci” ka shkruar për suksesin e Ballkanit në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.

“Ludogorets mori një surprizë shumë të dhimbshme”, është titulli i të përditshmes hungareze.

Sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit Ballkani bëri sensacion në garat evropiane. Kampioni i Kosovës ka epërsinë prej dy golave në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet me 19 korrik në Bullgari.

Në rast të fitores, Ballkani do të kaloj në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve ku do të përballet me fituesin e takimit mes Ljublanas dhe Valmieras./Paparaci.com