Jo rrallëherë është raportuar për konflikte verbale në familjes kosovare, që kanë eskaluar edhe në kanosje serioze e përleshje brutale. Të tilla ngjarje, në shumicën e rasteve lidhen me problemet e telashe mes familjarëve për të cilat nuk arrijnë zgjidhje, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi edhe në një familje në fshatin Vraniq të Suharekës, ku ka pasur të shtëna me armë pas një konflikti që plasi mes dy vëllezërve.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njëri nga ta po dyshohet se ka shkrepur armën në oborrin e shtëpisë së tyre, si pasojë e një mosmarrëveshje që pati me vëllain e tij.
Motivi që i futi në sherr dy vëllezërit dyshohet të jetë një fjalosje momentale për shkak të telekomandës së televizorit dhe kanaleve televizive, të cilat secili prej tyre dëshironin t’i ndiqnin.
Për pasojë, debati eskaloi dhe njëri prej tyre mori armën dhe gjuajti, me qëllim që ta frikësojë vëllain e tij.
Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konfiskuar armën që dyshohet se është përdorur dhe gëzhojën që u gjet në oborr.
Ndërsa dy palët janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të nisin hetimet.