Mesatarja e temperaturave maksimale gjatë muajit korrik në Kosovë arrin në 31.2 gradë Celsius, sipas të dhënave të kompanisë amerikane që ofron parashikim të motit në mbarë botën, Accuweather.
Instituti i Hidrometeorologjisë i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se ky muaj, bazuar në mesataren e temperaturave maksimale, do të jetë “ndër muajt më të nxehtë për shumë prej viteve të fundit”.
Të dhënat nga IHMK-ja dhe Accuweather tregojnë se vala e nxehtësisë që ka goditur Evropën, ka bërë që korriku i këtij viti të jetë më i nxehti në gjashtë vjetët e fundit.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë ditëve në vijim, kur IHMK-ja ka thënë se temperaturat mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.
E, gjatë këtyre ditëve të fundit, shumë qytetarë të Kosovës janë drejtuar në pishina e fontana të ndryshme nëpër vend, në përpjekje për t’u freskuar.
Këto temperatura vijnë pas dy muajve më të freskët dhe me reshje të shpeshta shiu në Kosovë, të cilat shkaktuan vërshime në disa qytete – me dëme më të mëdha në Pejë.
Vërshimet në Pejë shkaktuan vdekjen e një nëne dhe fëmijës së saj pesëvjeçar, ndërsa stuhi të ndryshme u morën jetën shtatë personave javën e kaluar në Ballkan dhe lanë qindra të tjerë të lënduar.
I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është goditur nga temperaturat e larta. Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë përballur me temperatura edhe më të larta se në Kosovë.
Shkencëtarë të ndryshëm ia kanë atribuuar këtë mot ekstrem fenomenit El Ninjo, i cili, përveçse kontribuon në ngritjen e temperaturave në shumë pjesë të botës, edhe rrit rreziqet për të reshura shiu dhe vërshime.
IHMK-ja ka parashikuar se temperaturat ekstreme do të vazhdojnë edhe disa ditë, por se ato do të bien nën 30 gradë Celsius më 27 dhe 28 korrik.
Por, kjo nuk është hera e parë që Kosova është goditur nga valë të tilla të nxehtësisë. Që nga viti 2001, muaji korrik në Kosovë ka qenë në tri raste – në vitet 2007, 2012 dhe 2015 – më i nxehtë sesa këtë vit.
Megjithatë, këtë herë, temperaturat minimale kanë qenë më të larta sesa zakonisht.
Kjo ka bërë që, sa u përket temperaturave minimale mesatare, korriku i këtij viti të jetë i dyti më i nxehti që nga viti 2001.
Shkaku i këtyre temperaturave të larta, qytetarët janë rekomanduar nga IHMK-ja të kufizojnë ekspozimin ndaj rrezeve të diellit, të pinë ujë sa më shpesh dhe të mos konsumojnë ushqim të yndyrshëm.