Miqtë në Suharekë ia zënë pritën ish-dhëndrit dhe i hyjnë dajak, 27-vjeçari kërkon ndihmën e Policisë

Problemet mes familjes së gruas me dhëndrin, janë të shpeshta në vendin tonë dhe shpeshherë telashet nuk marrin fund, as atëherë kur çifti vendos të ndahet. Jo rrallëherë ka ndodhur që mosmarrëveshjet të eskalojnë në kanosje serioze e në përleshje brutale, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në Suharekë, ku tre anëtarë të një familje dyshohen se kanë sulmuar fizikisht 27-vjeçarin, me të cilin vajza e tyre ishte e martuar, por më pas ishin ndarë.

Babai i vajzës bashkë me dy familjarë të tjerë ia kanë zënë pritën ish-dhëndrit dhe derisa ishte duke qëndruar në një lokal, e kanë rrahur, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Përballë kësaj situate, 27-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që ka ndodhur dhe problemin me familjen e ish bashkëshortes.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, por akoma nuk është siguruar prezenca e të dyshuarve.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.