Ballkani do të nisë sonte rrugëtimin në Ligën e Konferencës, pas eliminimit në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
‘Portokallinjtë’ e nisën për mrekulli fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur 2-0 në ndeshjen e parë në shtëpi kampionin bullgar me përvojë, Ludogorets, megjithatë në ndeshjen kthyese u mposht 4-0, duke bërë që rrugëtimi në atë garë të ndërpritet në po atë raund.
Kjo ka bërë që Ballkani tani të bëjë pjesë në garat e Ligës së Konferencës, aty ku u paraqit edhe sezonin e kaluar dhe ku shkroi histori.
Suharekasit e nisin kampanjën e re sonte në këtë garë ndaj kampionit të Irlandës së Veriut, FC Larne. Kjo ndeshje është e vlefshme për rrethin e dytë të kualifikimeve në Ligën e Konferencës.
Sfida zhvillohet në “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:45, ndërsa ajo kthyese do të zhvillohet në Irlandë një javë më vonë.
Ndërkohë është zbuluar edhe shorti se me kë do të përballet skuadra fituese e këtij dueli pas dy ndeshjeve, për në rrethin e tretë kualifikues.
Në rast kualifikimi, Ballkani do të kishte një short tejet të favorshëm në letër, pasi do të luante ndaj skuadrës së Gjibraltarit, Lincoln Red Imps. Ndërsa tani do të ishte vetëm edhe një ndeshje Play-Offi për të marrë pjesë në grupet e këtij kompeticioni apo jo.
Kujtojmë që klubi suharekas shkroi histori në këtë kompeticion sezonin e kaluar.
Portokallinjtë u bënë skuadra e parë kosovare ndonjëherë që arrijnë në grupe të një kompeticioni madhor evropian.
Ballkani kalimin në fazën e grupe e kishte arritur duke e eliminuar kampionin e Maqedonisë, Shkupin, duke e mposhtur në të dyja ndeshjet, 2-1 në Shkup dhe 1-0 në Prishtinë.