Liman Bytyçi, ish-drejtor i shkollës fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit”, është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë që rëndon ndaj tij.

Bytyçi po ngarkohet për veprën penale, shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë i pandehuri në gusht të vitit 2022, kishte vendosur që mësueses së lëndës së matematikës, Remize Lezi t’ia ndalojë ushtrimin e detyrës dhe t’ia mohojë nënshkrimin në listën e arsimtarëve prezent.

Megjithëse, për shumë vite përcolli breza të nxënësve, mësueses iu pamundësua hyrja në shkollë kur vendosi të barte shaminë.

Përball kësaj akuze, drejtori Bytyçi u deklarua i pafajshëm.

“Nuk e pranoj fajësinë, pasi aktakuza është e pabazuar”- tha ai.

Muhamet Mujaj, avokat i cili përfaqëson mësuesen Lezi, ka deklaruar se qëndron prapa ndjekjes penale dhe pranë kërkesës pasurore juridike.

Pas kësaj gjykata ka udhëzuar të akuzuarin që në afatin prej 30 ditësh të parashtrojë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas aktakuzës më datë 30 gusht 2022, në fshatin Reshtan, Komuna e Suharekës, në shkollën fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i shkollës duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij ia mohon ose ia kufizon të drejtën për shprehje të lirë të identitetit të saj ose për të gëzuar autonominë e saj fetare të dëmtuarës, Remzije Lezi.

Në aktakuzë thuhet se pasi e dëmtuara kishte vendosur mbulesë fetare dhe për herë të parë ishte paraqitur me mbulesë në shkollën ku punonte si mësimdhënëse e matematikës, i pandehuri si drejtor i shkollës ia ndalon hyrjen në objekt.

TE FUNDIT