AGK-ja për rastin e Klan Kosovës: Kurti po tenton ta mbyll një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ndaj vendimit që Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka njoftuar se ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.

AGK-ja përmes një komunikate të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se janë të alarmuar me këtë vendim duke e konsideruar si politik.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është alarmuar me vendimin e Komisionit të Ankesave pranë MINT për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke lënë kështu në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi”.

Sipas tyre, Qeveria i ka mbledhur të gjitha veprimet administrative që konsiderohen të nevojshme për ta mbyllur mediumin.

“Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e Qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova”.

“Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë”.

Teksa nga Asociacioni është thënë se procesi ka qenë që nga fillimi i motivuar “politikisht”.

“AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend”.

“Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”.

Ndërsa nga Klan Kosova, AGK-ja ka kërkuar që ta vazhdojë betejën në gjykatë dhe shprehë besimin që gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.

“Vendimi i sotëm politik i Qeverisë Kurti është goditja më e rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës”.