Hajnat vjedhin mbi 11 mijë franga dhe stoli ari në vlerë të mi 5 mijë eurove në një shtëpi në Malishevë

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, raporton Gazeta Sinjali.

Njëjtë e ka pësuar një shtëpi në fshatin Temeqinë të Malishevës, ku persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur shumë të konsiderueshme parash dhe stoli ari.

Sinjali mëson se pronari i shtëpisë në momentin kur ka ndodhur vjedhja ishte duke qëndruar te vëllai i tij, me të cilin i kanë shtëpisë shumë afër. Burimet bëjnë me dije se në momentin që ai është kthyer në shtëpinë e tij, ka gjetur dhomat e demoluara dhe pas kontrollimit ka parë se hajnat kanë marrë paratë dhe stolitë e arit.

Ai ka denoncuar rastin në Polici, ku ka bërë me dije se i mungojnë rreth 11 mijë franga zvicerane para të gatshme dhe stoli ari në vlerë të mbi 5 mijë eurove.

Njësitë policore kanë kryer në vendin e ngjarjes të gjitha ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, teksa vazhdojnë hetimet për gjetjen e të dyshuarve dhe arrestimin e tyre.