Raportuesi i Kombeve të Bashkuara Fabian Salvioli, ka ngritur shqetësimin e tij për mundësinë e një konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke u bazuar në diskursin aktual ndërmjet dy vendeve, të cilin e quan “aspak ndryshe nga ajo e pas-luftës”.
Në raportin e tij, të cilin e ka cituar media sarajevase “Oslobodenje”, Salviolli shprehet i shqetësuar për disponimin etnocentrik, nacionalist, narrativat e njëanshme në Kosovë dhe Serbi.
“Raportuesi Special është i shqetësuar për përdorimin e vazhdueshëm të narrativave etnocentrike, nacionaliste, të njëanshme apo jo të plota për konfliktin në Kosovë dhe Serbi në politikë, media, kulturë dhe arsim. Manipulimi i ngjarjeve të kaluara dhe forcimi i njëkohshëm i nacionalizmit dhe ndjenjat etnike për arsye politike, edhe nëse duket se u ofron përfitime politike afatshkurtra mbështetësve dhe autorëve të saj, nuk janë vetëm të paligjshme dhe kundër standardeve ndërkombëtare, por edhe afatshkurtër”, thuhet në raport, duke shtuar se imazhe dhe akte të tilla papërgjegjshmërie publike mund të çojë në një përsëritje të dhunës së kaluar.
Në këtë dokument të cilin Saviolli e ka përgatitur për ta paraqitur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ai bën thirrje për “ndalim dhe mosinkurajin të menjëhershëm të ndjenjave nacionaliste”.
“Raportuesi Special ka marrë raporte për deklarata shqetësuese nga zyrtarë publikë dhe politikanë rreth konfliktit, duke përfshirë mohimet e krimeve të luftës dhe kritikat e zyrtarëve që kanë tentuar të nderojnë viktimat e grupeve të tjera etnike. Ai gjithashtu ka marrë raporte shqetësuese të kriminelëve të dënuar të luftës mbajtjen e posteve publike, përfshirë edhe poste të larta”, thuhet në dokument.
Mungesa e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet pengesa kryesore në zbardhjen e fatit të të zhdukurve nga lufta e fundit, brengos raporti.
“Raporti tregon se autoritetet në Kosovë nuk kanë ndarë informacionet përkatëse dhe dokumentacionin përkatës për personat e zhdukur që kanë në dispozicion. Këto paraqesin sfida shtesë”, theksohet në këtë dokument të OKB-së.
Në pjesën e rekomandimeve, nga Kosova kërkohet që të ndajë burime të mjaftueshme për të dinamizuar kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur, si dhe rinovimin urgjent të bashkëpunimit me autoritetet kompetente në Serbi, veçanërisht me Grupin Punues për të Pagjeturit.