Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka shënuar fitore të thellë edhe në udhëtim me rezultat 4:1, në ndeshjen e kthimit ndaj Larnes, kështu për t’u kualifikuar në raundin e tretë të Ligës së Konferencës.
Suharekasit kishin shënuar fitore 3:0 në Prishtinë një javë më parë, duke bërë rrugën shumë të lehtë për ndeshjen e kthimit.
Ballkani shënoi dy gola në pjesën e parë dhe dy të tjerë në pjesën e dytë, ndërsa Larne krejt çfarë bëri në të dy takimet ishte një gol ngushëllues.
Nazmi Gripshi e hapi serinë e golave në minutën e 27-të kur shënoi nga afërsia për 1:0 pas asistimit të Albion Rrahmanit.
Kjo dyshe kombinoi edhe në golin e dytë. Ishte Rrahmani sërish që asistoi e Gripshi e çoi Ballkanin në pushimin e mes pjesëve me rezultat 2:0.
Me të filluar pjesa e dytë, Albion Rrahmani e gjeti golin. Ishte minuta e 46-të kur ai shënoi për 3:0, ndërsa në rolin e asistuesit ishte kapiteni Edvin Kuc.
Larne arriti të shënonte një gol. Ishte Lee Bonis që shënoi nga penalltia në minutën e 59-të, për të ngushtuar rezultatin në 3:1, por ishte vetëm kaq çfarë bëri skuadra nga Irlanda Veriore në të dy takimet.
Për rezultatin përfundimtar në ndeshjen e kthimit u kujdes Almir Kryeziu që shënoi për 4:1 në minutën e 66-të, ku u asistua nga Meriton Korenica.
Me rezultatin përfundimtar 7:1 nga 180 minuta, Ballkani kalon në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku do të ketë punë me Lincoln Red Imps, skuadrën nga Gjibraltari.