14 femra dhe tre meshkuj të lënduar- Policia jep detaje për rastin në “Bon Vivant”

Një person ka ndërruar jetë pas plagëve të marra nga gjuajta me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant”.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin ku thotë se kanë mbetur të lënduar 21 persona, katër prej të cilëve nga arma e zjarrit.

Rasti raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se 17 persona të tjerë, tre meshkuj dhe 14 femra, kanë marrë lëndime si pasojë e thyerjes së gotave-shisheve të qelqit.

Sipas Policisë, katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë), derisa një i dyshuar tjetër gjendet në arrati.

“Rr. Xheladin Hana, Prishtinë 04.08.2023-20:17.  Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të  dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri  (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia  K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raport.