Të ngjizur shumë dekada më herët, tifozët gjithmonë kanë dhënë jetë qyteteve. Jo më kot thuhet në rrethe tifozërish se “Një qytet pa tifozë, nuk është qytet”. Por, Suhareka ka jetë qysh dekada më parë.

Të paorganizuar dhe individualisht suharekasit do të ndiqnin klubin e tyre të zemrës në futboll qysh nga vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Rritja ekonomike e Suharekës, që nga ndërtimi i fabrikës së gomës “Ballkan” në vitet e ’60-ta, krijoi ambient për investim në sport.

Klubi i futbollit do quhej “Ballkan” dhe stadiumi në vijë ajrore 100 metra nga fabrika do të ishte i mbushur rreth e rrotull nga dashamirët e futbollit që brohoritnin dhe jepnin zemër ekipit në fushë. Shpejt edhe klubi i basketbollit mori formë me emrin “Ylli”, pa lënë anash as klubin e volejbollit që atëherë quhej “Partizani”.

Vitet do të kalonin dhe baticat e zbaticat do të përfshinin edhe klubet. Mirëpo, një gjë nuk ndryshonte. Suharekasit gjindeshin në stadiume e salla sporti sa herë ekipet tona kishin ndeshje.

Më 12 shtator 1992, kur gjithçka bëhej dhe jetohej “sot për nesër”, një grup të rinjësh nga Suhareka vendosën që brohoritjet dhe përkrahja e klubeve të bëhet në mënyrë të organizuar. Emri i tyre prej asaj dite do të ishte “Xhebraila” dhe logoja përbëhej nga një xhebrail që sytë i ka tek kundërshtari i radhës për ekipet suharekase.

Atëbotë organizoheshin turnire në futboll të vogël, që ishin masivë. Një nga ekipet më simpatike të kohës, kishin emrin “Xhebrailat”. Prej atij ekipi erdhi edhe emri i tifozëve. Kurse, logo e parë e krijuar për tifogrupin tonë u bë nga njëri prej pionerëve të parë të dizajnit e stripave në Kosovë, Bujar Kabashit, që sot është producent me emër dhe me shumë çmime ndërkombëtare.

Ndoshta në kohën kur secili mendonte se si të shpëtonte kokën, djemve të Suharekës që kishin ndarë mendjen që të vazhdonin sportin, tashmë “Ballkani” do të quhej “Suhareka”, ndërsa basketbollistët ende kishin emrin “Ylli”, mbrapa do t’iu rrinin Xhebrailat.

Cep më cep të Kosovës luheshin ndeshjet në disa fusha/livadhe, e basketbolli në sallat e shkollave fillore e të mësme fshehtas. Por, Xhebrailat nuk çanin kokën nëse do të kapeshin nga okupuesit serbë, nëse do të rriheshin deri në derxhe apo edhe do të kalonin ditë në burg. Ata udhëtonin gjithandej për të përkrahur klubet tona. Atëkohë fusha e futbollit në Studenqan ishte arena e Xhebrailave, ku kundërshtarët e kishin për tmerr sepse zor se mund të merrnin një fitore nga suharekasit.

Paslufta gjeti Xhebrailat në Suharekë përsëri. Qyteti ishte djegur, e shumë qytetarë që ishin xhebraila, kishin kaluar në amshim për të çliruar vendin, që edhe sporti të luhej në liri.

“Ballkani” e “Ylli” shpejt u kthyen. Ndeshjet e futbollit në stadiumin që ndryshon shumë nga ai që është sot, ishin një nga atraksionet më të mëdha. Herët duhej shkuar në pjesën e stadiumit që kapet me pyll, ku duhej të siguroje një vend pranë mbrojtseve të stadiumit, apo në ndonjë cep ballkoni të shtëpive pranë. Teksa, Prizreni mbushej saherë “Ylli” kishte ndeshjen e radhës si vendas.

Maicat e para të Xhebrailave pasluftës ishin autentiket që vazhdojnë dhe sot. Portokallia mbulohet me vijat e zeza që formojnë xhebrailin tonë.

Gjithmonë organizimi ishte i madh, autobusë të shumtë niseshin nga Suhareka nëpër qytete dhe portokallija jonë në maica shkëlqente.

Logoja e parë e Xhebrailave
Transi i parë i Xhebrailave

Pasi sporti dhe financat janë të lidhura mes vete, kështu krizat ishin të pashmangshme. Kishte vite të këqija, por gjeneratat ndryshoheshin tek Xhebrailat dhe nuk mungonte përkrahja edhe nëse klubi nuk ishte fare në garë.

Sot sporti suharekas është në kulm. Ekipet tona kapin vendet e para dhe Xhebrailat kapin notat më të larta për të krijuar zhurmën që u jep jetë lojtarëve tanë.

Një gjë është e shkruar në zemrat tona si e zeza në të bardhë: XHEBRAILAT do të jenë gjithmonë, sepse fëmijët tanë do të edukohen të jenë xhebraila në tribuna!

HAJDE KREJT DUART NALTË DHE SHKOJMË ME ZA TË LARTË

XHEBRAILAT! XHEBRAILAT! XHEBRAILAT!

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT