Shkruan: Kushtrim RESHITAJ

Me të përfunduar edicioni i kaluar, kur titulli kampion u diskutua që nga fillimi e deri në fund nga vetëm dy skuadra, Ballkani e Drita, tifozët e tetë ekipeve tjera e menduan ndryshe sezonin e ri. Por shumë e zbehtë duket shpresa se në luftën për më të mirin, do të hyjnë Prishtina, Llapi, Gjilani e mbase edhe Dukagjini që u paraqit “kënaqshëm” në Evropë.

Përderisa për të kuqtë e Anamoravës, aktualisht e kanë në diskutim edhe vetë ekzistencën, meqë i ikën sponsorët, klinasit që në xhiron e parë treguan se assesi nuk janë gati për ta hedhur vulën e kandidimit për vendet e para. Loja shterpë e tyre ndaj Malishevës, filozofia defansive e lojës që vazhdojnë ta kenë si identitet, nuk jep asnjë shkëndijë që diçka më ndryshe do të jetë këtë herë.

Ndërkohë, ndonëse e nisi mirë, me një fitore 3-0 ndaj Feronikelit ’74, Prishtina zor se mund të kthehet në epokën e dikurshme të lavdisë. Problemet në klubin më të trofeshëm në Kosovë, duket se nuk po i pushojnë as tani. Mos licencimi në pranverë që ia pamundësoji pjesëmarrjen në kualifikimet evropiane,  kontingjenti i brishtë kualitativ i futbollistëve, deri te “rebelimi” i tifozëve, Plisat në raport me udhëheqësin e klubit, vë shumë pikëpyetje se çfarë sezoni do të shfaq skuadra kryeqytetase.

Nga ana tjetër, ekipi llapjan që edicionin e ri të garave e nisi direkt ndaj një pretendenti serioz për titullin kampion, dukej larg kualitetit të Dritës, në një ndeshje ku gjilanasit e dominuan Llapin thuajse tërësisht.

Duket e qartë që në start se këta të fundit, bashkë me kampionin aktual, Ballkanin nga Suhareka, do ta thonë fjalën e fundit se ku do të shkojë kupa e titullit të Superligës. Krahasuar me Dukagjinin e Gjilanin që në Evropë u përpëlitën “zvarrë”, Drita shfaqi dy paraqitje të mëdha në përballjet me skuadrën e madhe çeke, Plzen, duke mos u treguar aspak inferiore, përkundrazi me një luftë serioze deri në çastet e fundit për kualifikim.

Kurse, ashtu siç ndodhi edhe vitin e kaluar, rruga evropiane e Xhebrailave mbetet më e gjata sa i përket klubeve kosovare. Ballkani që udhëton këtë javë në Gjibraltar, për aktin e dytë ndaj Lincoln Red Imps, (ndeshjen e parë e fitoi 2-0), synon që ta përsërisë suksesin e vitit të kaluar, ku shkroi historinë shtetërore, duke u bërë skuadra e parë nga Kosova, e cila u bë pjesë e grupeve të një kompeticioni evropian. Që kjo të ndodh sërish në UEFA Conference League, suharekasve u duhen edhe tri paraqitje dinjitoze gjatë eliminatoreve.

Si kampion në fuqi, por edhe me kualitetin e futbollistëve që posedon e nivelin financiar, Ballkani mbetet konkurrent kryesor edhe për edicionin e ri të Superligës. Ashtu siç ndodhi vitin e kaluar, kjo skuadër bashkë me Dritën, pritet të jenë kryefjalë të elitës futbollistike në Kosovë, për titullin e më të mirit.

E duke mos u ditur ende fati i Gjilanit, fare lehtë sivjet mund të kemi një garë të përbashkët të skuadrave që mëtojnë Evropën dhe mbijetesën. Nga pozita e tretë e deri në fund, të gjitha ekipet pjesëmarrëse, potencialisht mund ta gjejnë vetën duke kërkuar një nga këto objektiva.

Nga ekipet që u promovuan këtë edicion, Liria e nisi “dinjitetshëm” sezonin, pasi përkundër humbjes nga Balllkani 0-1 në Prizren, i shkaktuan probleme shumë të mëdha kampionit aktual, ku me pak fat, prizrenasit mund ta mbyllnin takimin me rezultat pozitiv. Në një stadium të stër-mbushur, ky ekip s’është çudi nëse në fund përgatit befasinë kampionale.

Feronikeli ’74 që startoi plogësht ndaj Prishtinës, udhëtim tejet të vështirë do të ketë edhe në xhiron e dytë, ku shkon në Suharekë për t’u përballur me Ballkanin. Mbijetesa do do të ishte trofeu më i madh i mundshëm për ta.

Fushë Kosova ende nuk ka luajtur, meqë ndeshja e tyre me Gjilanin u shty, por sipas të gjitha gjasave, do të jetë në vargun e gjatë të atyre që kërkojnë qëndrimin në elitë.

Ndjekësit e rregullt të Superligës, që tani e kanë gati pasqyrën për një garë Ballkani-Drita dhe një tjetër se kush qëndron në ligë e kush prej tyre kapet te zona evropiane. Bile duke marr parasysh organizimet shumë serioze të disa klubeve nga Ligës së Parë, siç janë Ferizaj, Trepça’89 e së fundmi edhe Fc Suhareka, s’do të ishte çudi që vend në Evropë mund të zë njëra prej tyre, duke shfrytëzuar rrugën nga Kupës së Kosovës.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT