Posedimi i armëve është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu dyshohet të ketë vepruar edhe një person i moshuar në fshatin Delloc të Suharekës, të cilit i dolën telashe me Policinë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 67-vjeçari dyshohet se ka shtënë me armë në mal. Këtë e ka pranuar edhe ai vetë pasi u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Arma që dyshohet se u përdor në rast bashkë me karikator u sekuestruan në cilësinë e provave materiale, teksa i dyshuari do të hetohet për veprën penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.
I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.