Sfidat e play-off/ Luhet për prestigj, miliona euro dhe koeficient

Për të parën herë në histori tre skuadra shqiptare ndodhen në fazën play-off të Conference League. Partizani, kampion i Shqipërisë, do të luajë me Astanën, Struga kampione e Maqedonisë së Veriut do të përballet me Bredaiblik, ndërsa Ballkani, kampion i Kosovës do të matë forcat me Bate Borisov.

Një moment kyç për të treja këto skuadra, që kanë mundësinë për të shkruar historinë, që për të parën herë të kemi më shumë se një skudër në fazën e grupeve të një kompeticioni të UEFA-s.

Partizani dhe Struga nuk kanë qenë asnjëherë më parë në grupe e për ta do të ishte suksesi më i madh në histori, ndërkohë që Ballkani nëse arrin më tej, do të bëhej e para skuadër shqiptare që shkon dy herë radhazi në grupet e një kompeticioni ndërkombëtar.

Megjithatë, në mes nuk është vetëm prestigji, por dhe ana financiare. Në rast pjesëmarrje në grupet e Conference League, çdo skuadër merr 2,94 milionë euro. Jo vetëm kaq, por çdo rezultat pozitiv në grupe, shpërblehet gjithashtu, pasi çdo fitore kushton 500 mijë euro e çdo barazim 155 mijë euro.

Deri më tani, skuadrat shqiptare kanë fituar më tepër se 1 milionë euro, e nëse do t’i bëjnë gjërat mirë edhe në këto dy sfida natyrisht që do të rrisnin në mënyrë të kënaqshme buxhetet e klubit.

Një tjetër element i rëndësishëm është dhe ai i koeficientit, për shkak se rezulatet pozitive të marra deri më tani, do bëjnë që në edicionin e ardhshëm skuadrat shqiptare të kenë koeficient më të lartë. Diçka e tillë mund të bëjë që në turet e para të klasifikohen në rrethin e skuadrave favorite, në mënyrë që të kenë kundërshtar më të lehtë në letër, çka rrit shanset për të kaluar ture.

Një moment historik, por po aq dhe i rëndësishëm, me Partizanin, Strugën dhe Ballkanin që ndodhen në një udhëkryq që mund të ndryshojë shumëçka.