Rasti i 35-vjeçares në Malishevë, “doktoresha” është me shkollim fillor dhe rrobaqepëse

Një 35-vjeçare dyshohet se vdiq pas një trajtimi të pandërgjegjshëm mjekësor që mori në klinikën “Doktorat”, në Malishevë. Aty, viktima mori shërbime stomatologjike, e asaj më pas iu përkeqësua gjendja dhe ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku edhe vdes.

Në lidhje me rastin u arrestuan dy persona.

I pandehuri Xh.K. dhe e pandehura H.K. po dyshohen për disa vepra penale.

Gjykata e Gjakovës ndaj Xh.K. ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, ndërsa ndaj të pandehurës një muaj arrest shtëpiak.

Në vendimin e Gjykatës është thënë se e pandehura ka të kryer shkollimin fillor dhe se me profesion është rrobaqepëse, ndonëse ajo është e regjistruar si pronare e biznesit.

“Sipas kërkesës për të pandehurën H. K., me datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” në Malishevë, pa kualifikim mjekësor kryen trajtime mjekësore e cila është e regjistruar si Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë në emër të pandehurës, ndërsa e njëjta ka të kryer shkollimin fillore, me profesion rrobaqepëse, e ku në ordinancën e cekur më lartë, pas trajtimit mjekësor të dhënë nga vëllai i të pandehurës- i pandehurit Xh.K., ka ndërruar jetë tani e ndjera L.Sh.” – thuhet në vendim.

Tutje është thënë se nga koha e pacaktuar e deri më 22 gusht 2023, me dashje dhe pa autorizim e pandehura ka falsifikuar dokumentin në emër të një institucionit tjetër dhe në atë të QKMF-së në Malishevë.

E pandehura dyshohet se si pronare e biznesit “Doktorat”, me rastin e inspektimit në këtë ordinancë i janë gjetur 18 vërtetime për nxënës dhe studentë si dhe 16 udhëzime për konsultim të QKMF-së në Malishevë, të gjitha këto dokumente të zbrazëta mirëpo të vulosura me vulën e QKMF-së, pa autorizim nga institucioni përkatës.

H.K. me këto veprime dyshohet se ka kryer dy vepra penale – ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Në anën tjetër Xh.K. dyshohet se ka kryer dy vepra penale të tjera – trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore.

Në vendimin e Gjykatës është thënë se i pandehuri Xh.K. më 22 gusht 2023, në ordinancën “Doktorat” në cilësinë e stomatologut gjatë dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor përdor metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Viktima është thënë se ka shkuar në ordinancën e cekur më lart për ta hequr një dhëmb, ndërsa aty i pandehuri ka përdorur medikamentet si calcium, lemod-solu, alergosan, e ku pas heqjes së dhëmbit me të dalë pacientja në oborr të ordinancës i keqësohet gjendja dhe e humb vetëdijen.

Ajo është thënë se me të shpejtë është dërguar në QKMF në Malishevë, e ku me pas ka vdekur për shkak të metodave dhe terapisë së përdorur nga ana e të pandehurit.

Në vendim thuhet se i pandehuri po ashtu pa autorizim ligjor ka kryer trajtime mjekësore stomatologjike, në atë mënyrë që si stomatolog ka ushtruar veprimtarinë mjekësore në ordinancën gjinekologjike, pa autorizim ligjor për zhvillimin e veprimtarisë stomatologjike e ku si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme mjekësore të marrra nga ana e të pandehurit, pas trajtimit mjekësor të dhënë viktimës, ajo vdes.

Në vendim është thënë se palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT