Pranë përsëritjes së suksesit në Evropë, Armend Thaqi flet në prag të ndeshjes kthyese ndaj BATE Borisov

Ballkani është shumë afër që të rishkruajë historinë në futbollin kosovar, për ta përsëritur suksesin e edicionit të kaluar, duke u kualifikuar në grupe të një kompeticioni madhor evropian, raporton Sinjali Sporti.

Në një kampanjë të jashtëzakonshme në Ligën e Konferencës edicionin e kaluar, Ballkani shkroi historinë duke u bërë skuadra e parë kosovare që kualifikohet në grupe të një gare evropiane madhore.

Të njëjtën gjë, suharekasit mund ta përsërisin vetëm një vit më pas, ku ndodhen në rrugë të mirë për ta bërë këtë.

Ballkani udhëheq në epërsinë e tre golave pas ndeshjes së parë të “Play-Off” të zhvilluar në “Fadil Vokrri” ndaj skuadrës bjelloruse BATE Borisov, ku fituan me rezultat 4-1.

Mbrojtësi i djathtë i skuadrës, Armend Thaqi në një prononcim për Gazetën Sinjali ka folur rreth ballafaqimit të dytë të eliminatores së “Play-Off”.

Thaqi ka deklaruar se avantazhi prej tre golave sigurisht se iu jep atyre një qetësi dhe komoditet mirëpo nuk do ta nënvlerësojnë skuadrën bjelloruse, pasi siç thotë ai, futbolli është i paparashikueshëm, porse ata janë të përgatitur që ta ruajnë rezultatin dhe të arrijnë objektivin.

“Epërsia prej tre golave na jep një qetësi dhe komoditet mirëpo asesi nënvlersim sepse futbolli di të jetë shumë i paparishikueshëm me një situatë mund të hapet ndeshja dhe nuk dëshirojmë që ta vëmë veten në presion apo rrezik. Normalisht që Bate do të sulmojë me gjithçka që të hap ndeshjen sa më heret dhe do të jetë e veshtirë, mirëpo jemi përgatitur që ta mbajmë rezultatin dhe ta arrijmë objektivin që kemi”, tha Thaqi për Sinjalin.

Thaqi ka folur edhe për ecurinë e jashtëzakonshme të Ballkanit në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku ‘portokallinjtë’ këtë edicion në Evropë kanë bilanc 100% të fitoreve, katër nga katër të tilla, duke shënuar në këtë proces edhe 11 gola.

“Katër fitore si vendas normalisht që janë statistikë shumë e mirë, ketu meritë kanë të gjithë, edhe shikuesit edhe gjithe sepse po na japin përkrahje maksimale dhe motivim të madh dhe mendoj që të gjithë kemi merita këtu”, shtoi Thaqi.

Ndër të tjerash, Thaqi ka folur edhe për objektivat e Ballkanit këtë sezon në Evropë, me një kalim potencial në fazën e grupeve.

Ai thekson se fillimisht janë edhe 90 minuta për t’u luajtur dhe se asgjë s’ka mbaruar, por ata tashmë kanë përvojën e grupeve nga sezoni i kaluar dhe mund të bëjnë më mirë këtë sezon.

“Kemi edhe 90 minuta dhe të futemi në grupe pastaj aty është gjithqka ndryshe sepse nuk i dihet shortit mirëpo shpresojmë që do të bëjmë më mirë se vitin e kaluar sepse kemi sado pak përvojen e grupeve të sezones së kaluar.

I pyetur nëse me një kalim potencial në grupe ka një skuadër që nuk do ta dëshironte të ndeshjes me ta, Thaqi shtoi se fillimisht duhet të arrihet grupet dhe më pas të shohin kundërshtarët.

‘Portokallinjtë’ e zhvillojnë ndeshjen kthyese tani në një terren neutral, saktësisht në Hungari, pas sanksioneve të UEFA-s dhe FIFA-s të vendosura ndaj Rusisë dhe vendeve fqinje, që nënkupton se kjo ndeshje përveç se nuk do të zhvillohet në qytetin bjellorus, ajo nuk do të zhvillohet pa asnjë shikues.

Dueli zhvillohet të enjten nga ora 20:00, teksa në po të njëjtën ditë do të zhvillohet edhe shorti në tri kompeticionet evropiane, ku Ballkani me një kalim tutje në këtë raund do t’i mësonte tre ekipet kundërshtare me të cilat do të duelonte në fazën grupore të Ligës së Konferencës.