Një ditë pasi e konfirmoi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, Ballkani ka mësuar grupin dhe kundërshtarët. Ballkani, të enjten mbrëma konfirmon plasmanin në fazën e grupeve të kësaj gare për vitin e dytë rresht. Në fakt, Ballkani rishkroi historinë, pasi edicionin e shkuar u bë ekipi i parë nga Kosova që luajti në fazën e grupeve prej njërës të tri garave të UEFA-s. Të premten në Monaco, është hedhur shorti për Ligën e Konferencës, ku u përcaktua se Ballkani do të paraqitet në Grupin C të kësaj gare. Shorti nuk ishte i lehtë për kampionin e Kosovës, pasi pjesë e këtij grupi janë disa skuadra që kanë emër jo vetëm në shtetin e tyre por edhe në futbollin evropian. Gjiganti i Kroacisë, Dinamo Zagrebi, pastaj Viktoria Plzeni e Çekisë dhe Astana e Kazakistanit, do të përballen me Ballkanin në fazën e grupeve, e cila nis më 21 shtator dhe përfundon më 14 dhjetor të këtij viti. Ballkani në short ishte në vazon e katërt, ndërsa secila prej katër vazove përmbante nga tetë ekipe që ishin të ranguara bazuar në koeficientin që e kishin në fillim të edicionit. Në short u përfshinë 32 skuadra, të cilat u ndanë në tetë grupe me nga katër ekipe. Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç ka folur për grupin dhe kundërshtarët me të cilët ekipi nga Suhareka do të përballet në Ligën e Konferencës. Kuç ka thënë për KOHËN se shorti nuk ishte aspak i lehtë, por ka shtuar se beson në cilësinë e Ballkanit. Ai ka shtuar se pavarësisht kundërshtarëve, Ballkani do të tentojë të bëjë hapin e radhës në Evropë, të kaloj grupin. Ballkani edicionin e shkuar u eliminua në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ku në gjashtë ndeshje pati një fitore, një barazim dhe katër humbje.
[the_ad id=”37230″]
“Mendoj se këtë edicion, Liga e Konferencës është dukshëm më e fortë sesa në dy edicionet e mëparshme, pasi janë të përfshira shumë ekipe cilësore, të cilat kanë një histori të pasur. Do të japim gjithçka nga vetja për të fituar sa më shumë pikë që të jetë e mundur në fazën e grupeve dhe ta përfaqësojmë klubin dhe futbollin e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Kuç. “Këtë herë kemi më shumë përvojë në këtë garë dhe nuk do të jemi fare kundërshtar i lehtë për ekipet që do të përballen me ne. Do të bëjmë të pamundurën që këtë herë të shkojmë një hap më larg sesa edicionin e shkuar”.
Skuadra nga Suhareka garat evropiane këtë edicion i ka nisur në Ligën e Kampionëve. U eliminua në raundin e parë kualifikues nga Ludogoretsi i Bullgarisë për t’u bartur në Ligën e Konferencës. Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, Ballkani eliminoi Larnen e Irlandës së Veriut. E në raundin e tretë kualifikues ishte më i mirë se kampioni i Gjibraltarit, Lincoln Red Imps që e eliminoi. Ndërkohë, me të arritur në plejof, Ballkani tejkaloi edhe pengesën e fundit, BATE Borisov që e eliminoi për ta prekur sërish fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Në fakt, Ballkani nuk është ekipi i vetëm nga Kosova këtë edicion që do të paraqitet në grupet e njërës prej garave të UEFA-s, por edhe skuadra e vetme shqiptare.
[the_ad id=”37230″]
Padyshim se kundërshtari më i vështirë dhe favoriti për ta kaluar grupin, mbetet Dinamo e Zagrebit. Ekipi me nam nga Kroacia ka përvojë jashtëzakonisht të madhe në Evropë, pasi rregullisht paraqitet në garat e UEFA-s dhe luan në fazat e grupeve. Kryesisht ka luajtur në Ligën e Kampionëve dhe të Evropës, ndërsa ky është edicioni i parë në Ligën e Konferencës. Dinamo u eliminua në raundin e dytë të Championsit dhe humbi në plejofin e Ligës së Evropës, për të vazhduar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Trajneri i Dinamo Zagrebit, Sergej Jakiroviq është ndarë i kënaqur me shortin e Ligës së Konferencës. Ai ka thënë se është grup i kalueshëm, por këtë ekipi i tij duhet ta dëshmoj në fushë. Madje, Dinamo e kishte eliminuar Astanan në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
[the_ad id=”37230″]
“Sigurisht që ka kundërshtarë më kërkues, kemi nxjerrë një grup të mirë, mund të kalojmë, në çdo ndeshje do të duhet ta tregojmë në fushë. Mund të jemi të kënaqur, shpresoj të jemi shëndoshë, të mos kemi probleme me listën e lojtarëve, të mbledhim forcat për të luajtur çdo katër ditë që si objektiv i parë të kalojmë grupin”, është shprehur Jakiroviq.
Astana e Kazakistanit e eliminoi Partizanin e Tiranës në plejofin e Ligës së Konferencës për ta siguruar fazën e grupeve. Edhe Astana ka përvojë në garat e UEFA-s, ku një herë është paraqitur në fazëne grupeve të Championsit dhe në katër raste tjera të Ligës së Evropës. Madje, në edicionin 2017/18 e kaloi fazën e grupeve të kësaj gare. Për Astanan, kjo është hera e parë që paraqitet në garën e nivelit të tretë të UEFA-s. Ndërkohë, Viktoria Plzeni garat evropiane këtë edicion i ka nisur në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku e ka eliminuar Dritën e Gjilanit. Pas Dritës, Plzeni eliminoi edhe Gzira Unitedin e Maltës në raundin e tretë, ndërsa në plejof ishte më i mirë se Toboli i Kazakistanit për t’u kualifikuar në fazën e grupeve
[the_ad id=”37230″]