Për shkak të mosmarrëveshjeve e konflikteve verbale, qytetarët shpesh herë përfshihen edhe në përleshje fizike. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.
Një rrahje mes dy personave ka ndodhur edhe mbrëmë në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ në Prishtinë, ku si pasojë ka marrë lëndime trupore një 19-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor dy t dyshuarit, si dhe është sekuestruar një thikë e cila dyshohet se u përdor në rast.
Bazuar në dëshminë e të riut, thika i përket 48-vjeçarit, të cilin e akuzon se e sulmoi me thikë pas një konflikti verbal.
19-vjeçari ka marrë lëndime si pasojë e sulmit me thikë dhe ka pranuar tretman mjekësor.
Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit do të hetohen në liri për veprat penale ‘Sulm’, ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.