Mëngjesi i së mërkurës ishte tronditës në Malishevë. Në orët e hershme të mëngjesit u gjet i vdekur një person.
Akoma më të rëndë ngjarjen e bën fakti se viktima dyshohet se u vra nga shoku i tij, shkruan Lajmi.net.
Avni Basha nga fshati Vraniq i Suharekës u vra në fshatin Banjë të Malishevës.
Isuf Zogaj i dyshuar për vrasjen u vetëdorëzua në Polici.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ekipi mjekësor i Emergjencës, konstatoi vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij. Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, tha Elezaj për Sinjalin.
Ndërkohë i dyshuari është dorëzuar në stacion policor, ku është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit tashmë është dërguar në mbajtje.
Lidhur me këtë rast kanë folur edhe nga ana e Prokurorisë Themelore të Gjakovës.Nga Prokuroria kanë treguar edhe për motvin që ka dërguar deri tek vrasja.
“Të dy kanë qenë kolegë, kanë punuar me mjete të rënda. I dyshuari është në ndalim për 48 orë. Sipas informacioneve të para, dyshohet se ka qenë një mosmarrëveshje që lidhet me punën”, kanë thënë nga Prokuroria.