Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes anëtarëve të së njëjtës familje. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Një konflikt familjar ka ndodhur së fundi në fshatin Terpezë të Malishevës, ku një mërgimtare nga Zvicra e cila kishte shkuar për vizitë te familjarët e saj, nuk i diti lezet qëndrimit atje.
Sinjali mëson se pas një zënke verbale me vëllezërit, 48-vjeçarja është përballur me sulme fizike brutale nga ata dhe kunata e saj. Viktima me t’u kthyer në Prishtinë ka denoncuar rastin në stacion policor, ku ka bërë me dije se si pasojë e dhunës ka marrë edhe lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Si rezultat i denoncimit, njëri vëlla dhe bashkëshortja e tij janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.
Sipas burimeve të Sinjalit, të dyshuarit kanë mohuar ta kenë sulmuar fizikisht viktimën. Ndërkohë ka qenë e pamundur që të intervistohet vëllai tjetër i dyshuar, për shkak se nuk ndodhet në Kosovë.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit do të hetohen në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.