Shaqir Palushi i Golden Eagle ndan 30 mijë euro për Policinë e Kosovës, bën thirrje për krijimin e një fondi

Fondacioni Golden Eagle ka ndarë 30 mijë euro për Policinë e Kosovës, pas sulmit të së dielës në Zveçan.

Ky fondacion po ashtu ka bërë thirrje për krijimin e një fondi për t’i dalë në ndihmë policisë.

Fondacioni Golden Eagle ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e oficerit policor  i cili ra në detyrë  në mëngjesin e sotëm.

“Të vdesësh për atdhe, është sikur të rilindësh përsëri…”.

“Krahas sfidave me ndikim në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e shtetit dhe të shoqërisë, Policia e Kosovës duhet të posedojë edhe fondin e saj për ti mbuluar shpenzimet e familjeve të policëve të rënë në detyrë, apo të lënduar  dhe atyre që kanë probleme shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Pronari i Golden Eagle, Shaqir Palushi, tha se fondacioni do të marrë iniciativën për krijimin e këtij fondi.

“Deri në themelim të tijë të gjithë ata që janë të gatshëm të kontribojnë, mjetet mund ti kalojnë në llogarinë e Fondacionit Golden Eagle. Së bashku për Kosovën”, shkroi Plalushi në Facebook./Telegrafi/