“Fadil Vokrri” një makth për kundërshtarët, gjigantët evropianë po dalin kokëulur nga Ballkani

Ballkani arriti mbrëmë një fitore historike, duke e mposhtur gjigantin kroat, Dinamo Zagreb në kuadër të xhiros së dytë të Ligës së Konferencës për edicionin 2023-24, raporton Sinjali Sporti.

Klubi kosovar gjunjëzoi 24 herë kampionin kroat, duke e mposhtur me rezultat 2-0 në Prishtinë, për t’i bërë gjasat reale për kalim të grupeve në këtë kompeticion.

Fitorja e mbrëmshme e ngrit tani Ballkanin në pozitën e dytë në tabelën ku ndodhet, me pikë të barabarta me Dinamo Zagreb e cila ndodhet në pozitën e tretë, kurse skuadra çeke renditet e para me dy fitore pas dy xhirove të para, me 6 pikë të mbledhura.

Tempulli i emrit të ikonës kosovare të sportit “Fadil Vokrri” është bërë tani një “makth” për shumë skuadra kampione të vendeve të ndryshme, duke dalur kokëulur nga ky stadium, shkruan Sinjali Sporti.

Ballkani tashmë regjistron një bilanc 100% të fitoreve në garat evropiane këtë sezon, duke i fituar të gjitha 5 ballafaqimet e deritashme.

Këtë rrugëtim, Ballkani fillimisht e nisi në raundin kualifikues të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur kampionin bullgar, Ludogorets.

‘Portokallinjtë’ triumfuan në “Fadil Vokrri” ndaj tyre me rezultat të pastër 2-0. Sidoqoftë, Ballkani u mposht dëshpërimisht në ndeshjen kthyese në Bullgari, çka bëri që klubi portokalli t’i vazhdojë kualifikimet në garën e Ligës së Konferencës, për edicionin e dytë me radhë.

Në ndeshjen e parë në këtë garë, Ballkani u përball me kampionin e Irlandës Veriore, FC Larne, aty ku e mposhti me rezultat të thellë 3-0, duke fituar gjithashtu edhe atë si mysafir (4-1).

Pas kualifikimit për më tej, shorti skuadrën suharekase e vendosi përballë skuadrës nga Gjibraltari, të cilën Ballkani e mposhti pa probleme 2-0 në “Fadil Vokrri”, gjithashtu duke e mposhtur edhe në ndeshjen kthyese më pas si mysafir 3-1.

Në fazën e fundit të Play-Off të Ligës së Konferencës, Ballkani luajti ndaj skuadrës bjelloruse me përvojë, BATE Borisov, aty ku triumfoi me rezultat 4-1, me ndeshjen kthyese që suharekasit e humbën me rezultat 1-0, por që nuk kishte ndonjë vlerë, pasi Ballkani u kualifikua në fazën e grupeve të këtij kompeticioni, duke shkruar historinë për edicionin e dytë me radhë.

‘Ajka’ e kësaj serie të jashtëzakonshme në terrenin “Fadil Vokrri” sigurisht se erdhi ajo mbrëmë ndaj Dinamo Zagreb, ku klubi kroat u gjunjëzua ndaj Ballkanit duke u mposhtur 2-0.

Kësisoj, Ballkani vazhdoi serinë e suksesshme, me të gjitha fitoret në Prishtinë këtë Evropë.

Ndeshja e ardhshme e Ballkanit në Evropë në “Fadil Vokrri”, është ajo ndaj klubit nga Kazakistani, Astana, ku Ballkani përveç se do të kërkojë vazhdimin e kësaj serie pozitive në këtë terren, gjithashtu t’i rrisë gjasat edhe më tepër për një kalim në fazën eliminuese, me një fitore potenciale.