Kushtet e vështira ekonomike, normat e larta për kredi, mungesa e parave kesh në treg, janë vetëm disa nga arsyet që bizneset dhe qytetarë të ndryshëm, në raste nevoje për mjete materiale, huazojnë para me normë të lartë të interesit që njihen si “fajde”. Për të shpëtuar nga situata të tilla, jo rrallëherë viktimat e fajdes kanë tentuar vetëvrasjen, e në raste të caktuara edhe i kanë dhënë fund jetës, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe të premten në një familje në Mitrovicë, ku një burrë deshi t’i jap fund jetës, rast ky për të cilin Gazeta Sinjali raportoi sot.
Sinjali mëson se motivi që dyshohet se e shtyri 56-vjeçarin të tentojë vetëvrasjen, sipas informacioneve të para lidhet me problemet dhe presionin që e ka pasur nga fajdexhinjtë, pasi i njëjti ishte viktimë e fajdes.
Si pasojë e gjendjes së rënduar, viktima tentoi t’i jap fund jetës, duke konsumuar domestos, por fatmirësisht shpëtoi dhe u dërgua në QKUK për trajtim mjekësor.
Burimet brenda Prokurorisë thonë se posa Policia është vënë në lëvizje për hetimin e rastit dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, është identifikuar një person, që dyshohet se është i përfshirë në këtë rast.
Sipas të njëjtave burime, i dyshuari është arrestuar sot në Mitrovicë, me ç’rast në shtëpinë e tij është kryer edhe bastisje nga ana e Policisë.
Me t’u përfunduar aksioni, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal, teksa është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale “Fajde” dhe “Shtytja në vetëvrasje”.