Ndodhi në Malishevë: Djali rrah gjyshen, nënën dhe motrën, i bën për spital

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët  e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe dje në fshatin Llapçevë të Malishevës, ku një i ri dyshohet se ka rrahur nënën, gjyshen dhe motrën e tij.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se i dyshuari përveç që ushtroi dhunë psikike ndaj viktimave, dyshohet se edhe i ka sulmuar fizikisht, duke iu shkaktuar lëndime, por edhe shqetësim e frikë të madhe.

Posa rasti është denoncuar në Polici, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i njëjti të ndalohet për 48 orë dhe ndaj tij të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.