Kënga “Mora fjalë” dedikuar Adem Jasharit, që vitet e fundit është kthyer në një himn në stadiumet tona dhe në protestat me sfond kombëtar është shkruar nga kompozitori nga Elbasani, Naim Gjoshi, pas një vizite në Prekaz në vitet 2000.
Kënga për herë të parë është kënduar nga këngëtari nga Drenica, Qazim Beka, në stadiumin e Prishtinës në kuadër të Epopesë së UÇK më 5 mars 2001 dhe titulli i saj ishte “Çohu Adem”!
Pamjet nga stadiumi i Prishtinës që mirëpriti aktivitetet në vigjilje të Epopesë së UÇK-së nuk kanë nevojë për koment.
Me dakortësinë e artistit Qazim Beka, këngën e këndoi edhe artistja Shkurte Fejza e sot ajo është ndër këngët-himn të nacionalizmës.
Shkurte Fejza, Qazim Beka, Ilir Shaqiri janë pjesë e asaj plejade artistësh që i këndonin atdheut e dëshmorëve kur në ish-Jugosllavi një mision i tillë përbënte herezi.
Në video: Kënga e kënduar në variantin e saj fillestar dhe teksti i këngës hedhur në internet nga dëgjuesit.
Mora fjalë
Mora fjalë e mora vargun
Mora qarkun me i thur kangë
Me i thur kangë bash legjendarit
T’i këndoj
T’i këndoj Adem Jasharit, t’i këndoj
Vjet për vjet
Vjet për vjet të thërret Prekazi dhe Reçaku
Vjet për vjet
Vjet për vjet të thërret Drenica
Vjet për vjet
Vjet për vjet dhe Mitrovica
Vjet për vjet
Çohu Adem
Çohu po t’thojn zogjt e malit dhe bilbilat
Çohu Adem
Po thonë lulet, trandafilat
Çohu Adem
Po thonë kangat, thonë dhe trimat
Çohu Adem
Çohu shpejt
Çohu shpejt mos rri te varri thotë nënëlokja
Çohu se mjaft ta flladiti ballin, toka
Çohu se ty të kërkon e tan Kosova
Të kërkon
Mora fjalë
Mora fjalë e mora vargun
Mora qarkun me i thurë kangë
Me i thur kangë bash legjendarit
T’i këndoj
T’i këndoj Adem Jasharit
T’i këndoj
E t’i them
E t’i them se gjaku i tij është vet liria
Që ka ardh në Kosovë e n’brigje t’Drinit
Kjo liri ia flladiti ballin, trimit
Ia flladiti!
Në foto: Autori i vargjeve të këngës “Mora fjalë”, poeti Naim Gjoshi.