Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, është aprovuar propozimi i mbrojtësit të të akuzuarit Murat Ademi, avokatit Florin Vertopi për sigurimin e DVR-së (ruajtës i pamjeve të kamerave) të restorantit “Bunari” nga Drejtoria Regjionale e Policisë në Prizren.

Këtë propozim, e ka aprovuar kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani, në gjykimin ndaj të akuzuarve Murat dhe Reshat Ademi, të cilët po akuzohen se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes, ndërsa Fadil Fetiu për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjetja dhe sigurimi i incizimeve mund të bëhet dhe kjo do t’i ndihmojë trupit gjykues ta vendos çështjen penale në mënyrë të drejtë. Po qe se nuk gjendet ky DVR, atëherë sigurisht që do të dëmtohet rëndë mbrojtja, personalisht Murat Ademi dhe ndoshta me qëllim të caktuar deri më sot ende nuk ka mundur të gjendet ky DVR si dhe nuk është dorëzuar në AKF”, ka thënë avokati Vertopi.

Po ashtu, gjykatësi Sejrani ka aprovuar propozimet e avokatit Vertopi që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Driton Fondaj si dhe sigurimi i deklaratës së të akuzuarit Fadil Fetiu e dhënë më 14 nëntor 2016 nëse e njëjta është marrë nga qendra e paraburgimit në Prizren.

Propozimet e avokatit Vertopi për sigurimin e dosjes së atentatit të parë ndaj të ndjeri A.B dhe sigurimi i raportit të vendit të ngjarjes janë refuzuar.

Tutje, në këtë seancë është bërë dëgjimi i CD-ve nga bisedat e të akuzuarit Fetiu dhe Reshat Ademi, CD-së së akuzuarit Murat Ademi në burgun e Prizrenit si dhe CD-së të servisit të automjeteve “Fatoni”.

Po ashtu, është bërë shikimi i CD-së ku shihet se i akuzuari Fadil Fetiu me automjetin “Peugeot” të bardhë është takuar me të ndjerin A.B. dhe së bashku janë larguar në drejtim të fshatit Peqan.

Pas kësaj, seanca e sotme është ndërprerë, kurse seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 14 dhe 27 nëntor 2023, si dhe 13 dhe 19 dhjetor 2023.

Ndryshe, për herë të parë nga Gjykata Themelore në Prizren, më 21 tetor 2019 të akuzuarit Murat Ademin, Resmije Bytyqin dhe Fadil Fetiun i kishte shpallur fajtorë, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza, mirëpo aktgjykimin e Themelores e kishte anuluar Gjykata e Apeli dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Murat dhe Reshat Ademi, më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin Abedin Bytyqi, kurse Resmije Bytyqin akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ngarkon me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT