Në Komunën e Suharekës, kanë mbetur pa u shtruar disa rrugë, ani pse janë të kontraktuara. Madje siç ka thënë kryetari i kësaj Komune, Bali Muharremaj, për shkak të disa ‘mosmarrëveshjeve’ shtrimi i rrugës “Selim Fondaj” është lënë anash, dhe është vazhduar shtrimi i rrugëve të tjera lokale, shkruan Insajderi.

Në Komunën e Suharekës janë nënshkruar kontrata për “Ndërtimin e rrugëve në fshatin Peqan”, që nga viti 2022, por ani pse të kontraktuara, disa rrugë kanë mbetur ende pa shtruar, më saktësisht rrugët si: Selim Fondaj, 13 Korriku, Lulekuqja e Kosovës….

Çmimi total i kontratës për “Ndërtimin e rrugëve Selim Fondaj dhe Hamdi Gashi”, ka qenë 27 mijë e 173.39 euro dhe ka qenë e paraparë që të përfundojë brenda 35 ditëve.

Ndërsa kontrata e nënshkruar në qershor të 2022-tës, për ”Ndërtimin e rrugëve, Amrullah Hoxha, Kolonja, 13 Korriku, dhe rrugë të tjera lokale në Peqan” ka qenë me çmim total 24 mijë e 645.61 euro, e cila ka qenë e paraparë që të përfundojë brenda 90 ditëve.

Por, edhe pse kontrata është nënshkruar, rruga Selim Fondaj në fshatin Peqan, tash e pesë muaj, nuk është shtruar fare.

Asamblistit i LDK-së në Suharekë, Urim Suka, ka akuzuar pushtetin aktual se në fshatin Peqan të kësaj komune janë duke u shtruar rrugë pa planifikim fare, ndërkohë që rrugët e kontraktuara janë duke u lënë anash.

Ndërsa siç shihen edhe në foto rrugët “Lulekuqja e Kosovës, 13 Korriku”, nuk janë të shtruara fare, ani pse që nga 2022 është nënshkruar kontrata.

Në Peqan po shtrohen rrugët e oborreve pa planifikim fare, ndërsa rrugët e planifikuara e kontraktuara nga ky pushtet nuk po shtrohen. Sipas banorëve në këtë fshat ka shumë rrugë ende të pa shtruara si Lulekuqja e Kosovës, Guri i mullirit, Amerika, Atalanta e plotë rrugë të tjera, ndërsa ky pushtet ka zgjedhur të shtrojë rrugë të oborreve madje në kundërshtim me procedurat ligjore”, ka shkruar ai përmes një statusi në profilin e tij në Facebook.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili tha se është bërë një kërkesë nga kryesia e fshatit dhe zyrtarët për një ndryshim, ku si pasojë e disa mosmarrëveshjeve për rrugën ‘Selim Fondaj’, andaj nuk është shtruar, dhe duke vazhduar me shtrimin e rrugëve të tjera.

Në bazë të informatave që i morra nga kryesia e fshatit dhe zyrtarët, më sqaruan se ekziston një kërkesë nga ana e tyre për Drejtorinë e Shërbimeve Publike për një ndryshim të këtyre rrugëve.  Sipas tyre ky ndryshim ka ardh si pasojë e disa mosmarrëveshjeve për rrugën ”Selim Fondaj”, prandaj sipas kërkesës e tyre është vazhduar me shtrimin e disa rrugëve tjera, të cilat e mbulojnë buxhetin e njëjtë pa ndonjë implikim, ku po ashtu mbikëqyret nga zyrtarët përkatës dhe kryesia e fshatit Peqan”, tha për Insajderin Muharremaj. 

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT