Shkruan Selman Kolgeci, Asambleist i LDK-se në Suharekë
Gjumi i qeverisjes Muharremaj,
Rezultati i shpenzimit të buxhetit për periudhën Janar-Shtator 2023 në Komunën tonë është në nivel shumë të ulët, 76.72 % (3,851.851 € nga 5,020.662 € ) e buxhetit pa shpenzuar për 9 muaj.
Në periudhën Janar – Shtator, në 90 projekte nuk është shpenzuar asnjë cent i vetëm, kjo tregon se qeverisja Muharremaj II ka qenë në gjumë të thellë sidomos për periudhën 9 mujore të këtij viti.
Sipas planit të prokurimit që zyra e prokurimit i ka sjellë Kuvendit Komunal si njoftim se si do ta shpenzoj buxhetin për vitin 2023, mbi 15 nga 125 projekte janë në procedurë dhe nuk dihet a mund të nënshkruhen kontratat deri në fund të vitit, për shkak se kompanitë mund ta ushtrojnë të drejtën e ankesës.
Mbi 30 procedura akoma të pa filluara, të pa shpallura deri më tani, ku janë afatet e dorëzimit, koha e vlerësimit të ofertave, koha e pritjes së ankesave, koha e fillimit te punimeve e shumë procedura tjera deri në finalizimin e projekteve.
Matematikisht, është e pamundur që për këto procedura të shpenzohen mjetet e të kryhen investimet e parapara për këtë vit.
Kështu është kur buxheti ndahet sipas tekeve personale, sipas interesave partiake e pa analizë të mirëfillt, sepse këto interesa partiake në terren nuk kan se si të ekzekutohen.
Kjo qeverisje nuk i ka përfillë vërejtjet tona, tani le të urdhëroj e le t’i kryej investimet.
Qytetarët presin t’i prekin e t’i shohin investimet, kurse ju me këtë mungesë serioziteti po i leni pa investime. Shtyerja e investimeve kapitale në tre muajt e fundit të vitit kalendarik, po rezulton me punime jo cilësore dhe me dyshime për manipulim në aspektin e sasive.
Kjo gjendje me shpenzimet e buxhetit është pothuajse e njejtë me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, sikur atëher edhe tani po iu bëj thirrje në reflektim në mënyrë që zyrtarët komunal mos të detyrohen që në fund të vitit të pranojnë çka është e çka nuk është në terren, sepse një praktikë e tillë mund të dërgojë në përgjegjësi edhe shumë zyrtarë tjerë.