Mësuesi kosovar që kujdeset për 400 qen të rrugës e të braktisur

Streha e Lulzim Prenkut prej 5,000 metrash katrorë në fshatin Bakshi, komuna e Obiliqit, ka shpëtuar rreth 400 qen nga zona lokale.

Sa herë që sheh një qen rruge, ai e merr atë.

Të tjerët janë sjellë nga anëtarë të publikut ose organizatave.

Me një përkushtim ndaj qenve, 32-vjeçari Prenku kuptoi se streha e vogël në shtëpinë e tij nuk ishte e mjaftueshme, ndaj ai bëri përpjekje të hapte një strehë shumë më të madhe.

“Qentë nga rruga, ata që kanë nevojë për kujdes, i çojmë te veterineri. Në shumë raste i çojmë në strehimore, i vaksinojmë, i sterilizojmë dhe janë gati për birësim. Në momentin që një qen vjen në strehë, është i hapur për birësim”, thotë Prenku për AP, i cili me profesion është mësues sporti, ndërsa tërë kohën e lirë e kalon me qentë.

“Në këtë strehimore janë rreth 400 qen. Nuk mund të them saktësisht se sa kohë është dashur për t’i mbledhur ata, por ata gradualisht vijnë dhe shkojnë”, shton ai.

Qentë që qarkullojnë të lirshëm, shumë prej tyre të braktisur nga pronarët e mëparshëm dhe të gjetur në rrugë, shpesh mund të kthehen në një shqetësim në qytete – kur askush nuk kujdeset për ta, ata mund të bëhen të uritur dhe madje të sulmojnë njerëzit.

Prenku thotë se gjithçka që u nevojitet është dashuri, ushqim dhe kujdes.

Qentë në strehë janë të të gjitha racave, nga Piknizeri i vogël, tek Dobermanët e mëdhenj dhe Pitbullët.

Këtu ata marrin të gjithë kujdesin që kërkojnë, duke filluar nga vaksinimet, sterilizimi dhe kujdesi tjetër shëndetësor.

Të ndarë në nëntë zona në bazë të racës së tyre, për qentë kujdesen katër punëtorë të përkohshëm dhe disa vullnetarë.

“Kur vijnë këtu, ne i kontrollojmë nëse janë mirë, nëse kanë ndonjë problem, nëse kanë nevojë për kujdes”, shpjegon Perparim Pacolli, një nga personat përgjegjës.

“Më pas vazhdojmë me pastrimin dhe higjienën e tyre. Më pas i marrim në aktivitete të ndryshme, si nxjerrja e tyre për shëtitje, ata kanë nevojë për shëtitje, kanë nevojë për lojëra të ndryshme dhe gjithçka tjetër që u nevojitet qenve”.

Organizatat ndërkombëtare të kafshëve nga Suedia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmën dhe mbështetjen e tyre financiare për strehimoren, e cila shpenzon 6,000-8,000 euro në muaj për ushqim, plus më shumë për vaksinat dhe kujdesin shëndetësor.

Prenku thotë se numri i njerëzve që vijnë për të adoptuar qentë është rritur kohët e fundit, por fillimisht ai i pyet ata për të mësuar se si do të kujdesen pronarët e rinj për qenin.

Rreth 150 qen deri më tani janë adoptuar nga njerëz që vijnë nga Gjermania, Austria dhe Suedia.