“S’kam qenë normal”, “I kam 12 stenta”, “Jam kufomë”, Serbia m’i ka vrarë 12 anëtarë” – krejt çka tha Dedaj në Speciale

Ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale pas tetë orëve ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë Veriore, Gjergj Dedaj në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte.

Ai është marrë në pyetje nga prokurorja Deborah Mayor e cila e ka pyetur Dedajn për ndalimin e tij në fshatin Qirez të Skenderajt në vitin 1998, kur bashkë me një grup të politikanëve nga Prishtina ishte ndaluar nga disa ushtarë të UÇK-së e ku prezentë ishte edhe ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi.

Dedaj e ka pranuar që është ndaluar dhe është takuar me Thaçin, por e ka mohuar kategorikisht se është rrahur.

“Biseda ka qenë shumë e qetë, shumë normale. Një bisedë kolegiale dhe shumë profesionale. Arsyeja e ardhjes, iu kemi shpjeguar që arsyeja e ardhjes ka qenë kryekëput humanitare”, tha Dedaj.

“Atë natë jemi marrë në pyetje, të nesërmen kemi qenë të lirë, të qetë kemi pushu. Atë natë mënojë që kemi tregu arsyen e vizitës tonë dhe mendoj që atë natë UÇK-ja e kuptoi misionin tonë të drejtë dhe humanitar dhe të nesërmen nuk kemi pasur asnjë problem”, shtoi ai.

Gjatë dëshmisë së tij, Dedaj ka deklaruar se është “pishman” për një pjesë të dëshmive që i ka dhënë pasluftës në lidhje me zhvillimet e vitit 1998, kur pati thënë se gjashtë anëtarë të delegacionit kanë pësuar lëndime nga trajtimi “kafshëror” në shkollën e fshatit Baincë.

“Në 90 për qind të deklarimeve që i kam bërë pasluftës s’kam qenë normal dhe në gjendje për të thënë të vërtetën. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo gjë. Jam kufomë, s’kam asnjë vlerë. Nuk e di pse jam gjallë, unë nuk ligështohem, jam i guximshëm dhe jam i përgatitur për të dhënë jetën”, shtoi tutje Dedaj.

Dedaj është pyetur nga prokurorja edhe për arsimin që ka përfunduar, për sulmet e Serbisë në Kosovë dhe për lëndimet që ka marrë gjatë kohës së luftës.

“Kam lëndim në zemër, e kam zemrën me tela që ma ka shkaktuar Serbia. I kam stendat në zemrën time, në shpirtin tim. Serbia më ka vra 12 anëtarë të familjes, 2 të mitur”.

Pos dëshmisë së tij për ndalimin nga UÇK-ja, Dedaj është ankuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e shkarkoi atë “dhunshëm” nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

“Së fundi kam qenë ambasador por jam larguar dhunshëm, brutalisht, dhe politikisht nga ana e ashtuquajturës presidente Osmani për qëllime politike sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj”, potencoi Dedaj.

I pyetur se çfarë mendon për ish-presidentin Ibrahim Rugova, ai ka thënë se ai ishte themelues i shtetit të Kosovës, kurse ish-presidenti tjetër, Hashim Thaçi sipas tij e ka përmbyllur procesin e pavarësisë.

“Presidenti Rugova është themelues i shtetit të Kosovës, ndërsa lideri Hashim Thaçi e ka përmbyll procesin e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se më 1993-n ishte zgjedhur kryetar i Partisë Liberale, derisa më 1998 ka marrë pjesë në zgjedhje dhe partia e tij ka marrë gjashtë deputetë.

Dedaj ka shpjeguar se nuk ka qenë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e as i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./AlbanianPost