Kualifikueset e Euro 2025: Zbulohet lista e Shqipërisë U-21, fitohet për herë të parë futbollisti nga Kosova

Përzgjedhësi i Shqipërisë U21, Alban Bushi e ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen ndaj Rumanisë dhe Mazit të Zi, sfida këto kualifikuese për “Euro 2025”, shkruan lajmi.net.

Për herë të parë në Kombëtare është ftuar futbollisti nga Kosova, Ermir Rashica që luan me Skënderbeun e Korçës.

Ai më parë ka luajtur me grupmoshat e Kosovës.

Kombëtarja U-21 luan më 17 nëntor duelin e pestë në grupin E ndaj Rumanisë (ora 19:30, Superbet Arena – Giulesti), ndërsa më 21 nëntor kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen e gjashtë të grupit po në transfertë ndaj Malit të Zi, me takimin që do të luhet në stadiumin “Podgorica City Stadium”, duke filluar nga ora 15:00.

Shqipëria U-21 ndodhet në Grupin E bashkë me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë, teksa renditet në vendin e parë pas tre fitoreve ndaj Rumanisë U-21, Malit të Zi U-21 dhe Armenisë U-21. Kuqezinjtë kanë pësuar vetëm një disfatë ndaj Finlandës U-21.

Ekipi i drejtuar nga Alban Bushi do të grumbullohet me datë 12 nëntor në Durrës dhe me datë 16 nëntor do të udhëtojë drejt Rumanisë, aty ku më datë 17 do të luajë ndaj vendasve ndeshjen zyrtare.

Më pas ekipi do të kthehet në Shqipëri për të vijuar përgatitjet për ndeshjen e dytë ndaj Malit të Zi. Kuqezinjtë do të qëndrojnë në Durrës deri më datë 19 nëntor dhe më pas do të udhëtojnë drejt Malit të Zi, aty ku do të zhvillojnë ndeshjen e gjashtë kualifikuese ndaj Malit të Zi U-21.