Ballkani kërkon ‘revanshin’ sot ndaj Astanas, për t’i rritur shpresat për kualifikim në grupe të UECL

Klubi futbollistik Ballkani ka udhëtuar drejt Kazakistanit ku sot do të përballet me skuadrën e Astanës në duelin e raundit të katërt të fazës grupore të Ligës së Konferencës UEFA.

Pas tre raundeve të zhvilluara tani do të zhvillohen tre të fundit për të kuptuar fatin e dy skuadrave që do të kalojnë në fazën e grupeve.

Grupi C në të cilin ndodhet Ballkani mbetet i hapur, me të gjitha skuadrat që kanë mundësi për t’i kaluar grupet.

Viktoria Plzen prin si lider i tabelës me 9 pikë të mbledhura, e ndjekur nga tri skuadrat me pikë të barabarta – Dinamo Zagreb, Ballkani e Astana, me nga tre pikë secila.

Pas një fitore të madhe të Ballkanit ndaj gjigantit kroat Dinamo Zagreb në raundin e dytë të turneut, klubi kosovar pësoi një disfatë dëshpëruese ndaj Astanës në “Fadil Vokrri” në raundin e tretë.

E sot, suharekasit do të kërkojnë ‘hakmarrjen’ në udhëtim ndaj klubit të Astanës, për t’i rritur kështu gjasat e tyre për një kualifikim të mundshëm të grupeve.

Kjo përballje fillon në orën 16:30 me kohën tonë, kurse 21:30 me orën lokale në Kazakistan.