Ish-zëvendëskomandanti i zonës së Pashtrikut, Sadik Halitjaha, është dëshmitari i 36-të në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai është pyetur për organizimin ushtarak, detyrat e tij, Shërbimet Informative e ndalimin e disa personave.

Njëri nga eprorët e UÇK-së, Sadik Halitjaha, e ka pasur idhull Adem Demaçin. Andaj, edhe e kishte respektuar urdhrin e tij që sa më pak të ketë kontakte me mediat në kohën e luftës.

Kështu ka thënë vetë Halitjaha në ditën e parë të dëshmisë së tij në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.

“Nga Shtabi i përgjithshëm nuk kemi pas urdhra me shkrim. Nuk kemi pas protokolle në mes Zonës dhe Shtabit të Përgjithshëm. Nga niveli i Zonës deri në nivelin e Skuadrës është punuar me rregullore sepse rregulloret i kanë nxjerrë zonat. Rregulloret i kemi bërë ne, unë dhe Halil Çadraku me Esniçin Vesel Maliqin dhe kështu ka funksionuar zingjiri komandues, po të kishte urdhra të cilat do qofshin ato nga Shtabi i Përgjithshëm sepse ne kemi pritë më shumë nga Adem Demaçi se për mua ka qenë idoll Adem Demaçi se e kam ditë që ai është t’u e drejtu luftën. Ai ka thënë që të mos takohemi me gazetarë pa lejen e tij, nuk jemi taku nuk kemi dhënë intervista pa lejen e tij”, tha Halitjaha, raporton Nacionale.

Halitjaha është pyetur në detaje për një libër të tij ku ai e përshkruan organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Pashtrikut.

Ai është pyetur për pjesën e librit ku thoshte se UÇK-ja doli e strukturuar me daljen publike në vitin 1997. Halitjaha deklaroi se atëherë kishte nisur strukturimi.

“Këto ishin fillet e luftës, këtu lufta dhe UÇK-ja u bë publike për popullin tonë edhe për botën sepse janë bijtë e Kosovës ata që luftojnë për atdheun. Nga këtu doli e strukturuar jo, nga këtu ishin fillet e strukturimit”, tha ai në përgjigjet ndaj prokurorit Pache.

Gjatë ditës nisi marrja në pyetje e Halitjahës edhe nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson. Ai ka treguar se si kishte nisur grupimi në zona të ndryshme në Suharekë.

“Nuk ka pasur struktura të mëhershme për tituj. Strukturat kanë qenë nën embrion, të paorganizuara. Një grupim në fshatin Dobërdolan, në Budakovë kam shkuar me 3 ushtarë, dhe kam arritur t’i bëj 20 ushtarë për betejën e parë më 3 korrik”, tha ai.

“Mënyra si e përshkruani në librin tuaj është e tillë që strategjia e UÇK-së që të përqendrohej në akte të caktuara sabotimi ose që të tërhiqte armiqtë në fusha të caktuara apo sulme të caktuara. Kështu e përshkruani ju?”, ishte pyetja nga Emmerson.

“Kishte plane për ta goditur armikun në vende ku nuk mund të hynte me makineri të rëndë, sepse kështu barazohej lufta. Ne mund ta bënim luftën këmbësori me këmbësori”, u përgjigj Halitjaha.

Halitjaha u pyet në detaje për dallimet ndërmjet njësisë zbulim kundër-zbulim dhe Shërbimit Informativ. Gjithashtu edhe për dallimet mes Shërbimit Informativ Kombëtar e Shërbimit Informativ të Kosovës.

“Fjala informim duhet të zëvendësohet me fjalën politikë, fjala unë shefi i shërbimit informativ, është gabim ai ka qenë shefi i zbulimit dhe kundër-zbulimit. E ka bërë pa vetëdije Çadraku, nuk e ka njohur terminologjinë”, tha Halitjaha.

“Emri me të cilin njihej Shërbimi Sekret i Shqipërisë nga viti 1991 deri 1997 ka qenë SHIK, Shërbimi Informativ Kombëtar?”, ishte pytja e Emmerson.

“Duhet ta keni të qartë Kosovës dhe kombëtar. Kur flitet për Shërbimin Informativ Kombëtar është në Shqipëri, për Kosovën është fjala për SHIK”, tha Halitjaha.

Dëshmia e tij do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT