Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim miqësor përfaqësuesit e punëtorëve të fabrikës “Ballkani” nga Suhareka, Sali Bytyqi, Elez Haxhiolli dhe Ali Biniqi.
Në takim, kryeministri ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Gani Krasniqi.
“Punëtorët e dikurshëm të fabrikës së njohur “Ballkani” falënderuan kryeministrin për pritjen dhe përkushtimin e Qeverisë ndaj realizimit të së drejtës së punëtorëve për kompensimin financiar që iu takon sipas ligjit me rastin e privatizimit të ndërmarrjes. Po ashtu, ata shprehën indinjatën e thellë lidhur me shitjen e lirë të fabrikës, për vetëm 1.4 milionë, ku janë të përfshirë 17 hektarë tokë”, bëhet e ditur në njoftim.
Të enjten e kësaj jave, në mbledhjen e 173-të të saj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpronësuar njësinë Damper për nevojat e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, duke treguar kështu edhe rëndësinë e pronës publike e aseteve strategjike për dobi shtetërore.
Nga ky shpronësim, të drejtën e tyre ligjore në kompensim do realizojnë 1354 familje.