Rekordi i Silvinjos: Trajneri brazilian me performancën më të mirë në historinë e stolit kuqezi


Me përfundimin e kualifikueseve të Euro 2024, Shqipëria e Silvinjos vendos një rekord. Asnjëherë më parë, përfaqësuesja kuqezi nuk ka grumbulluar 15 pikë pas tetë takimesh.

Skuadra e Edi Rejës shkoi në 18 pikë, por i arriti në 10 sfida, pra dy më shumë. Me 24 pikë në total të disponueshme, në këto kualifikuese, Shqipëria e Silvinjos ka marrë 62.5% të pikëve.

Skuadra e De Biazit, që siguroi europianin mori 14 pikë, ose 58.3% të pikëve të disponueshme. Shqipëria është dalluar në këto kualifikuese të Euro 2024 për performancën në mbrojtje.

Pas 8 ndeshjeve të luajtura, kuqezinjtë kanë pësuar vetëm 4 gola e kanë shënuar 12. Edhe Belgjika dhe Anglia janë ndëshkuar nga 4 herë në tetë takime, por kanë realizuar nga 22 gola. Kualifikuese perfekte ka zhvilluar edhe Portugalia, që në 10 takime është ndëshkuar vetëm 2 herë.