VIDEO/ Dha jetën në detyrë, djemtë e Afrim Bunjakut thërrasin emrin e babait mes tifozëve të Kombëtares

Mes shumë tifozëve të pranishëm në stadiumin “Air Albania” mbrëmjen e djeshme, ishin dhe dy fëmijë shumë të veçantë.

Këta fëmijë janë djemtë e vegjël të efektivit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, i cili ndërroi jetë pasi u vra nga disa serbë, pas një sulmi në Banjskë të Zveçanit. Dy djemtë udhëtuan drejt Tiranës me pjesëtarët e tifo-grupit “Tifozët Kuqezi”, për të parë nga afër ndeshjen e Kombëtares shqiptare të futbollit kundër Ishujve Faroe, e po ashtu për të shijuar festën e organizuar për kulifikimin në Europianin e vitit 2024.

Ata e kanë ndjekur ndeshjen nga tribuna pas porte, aty ku “Tifozët Kuqezi” qëndrojnë gjithmonë, e në një video ata shihen duke thirrur pikërisht emrin e babait të tyre. Të prekur por me krenari, dy vogëlushët thërrasin emrin e heroit Bunjaku, i cili dha jetën për lirinë e Kosovës.

Afrim Bunjaku ishte rreshter i Policisë së Kosovës që u vra në orët e para të ditës së diel më 24 shtator 2023 nga një grup kriminelësh serbë të armatosur rëndë në Manastirin e Banjskës të Zveçanit. Në momentin e vrasjes ai ishte komandant i Stacionit të Policisë në Zveçan. Pas vdekjes është nderuar nga Presidentja me urdhrin “Hero i Kosovës”.