Dërgohet në disiplinore zyrtari i sanksionuar nga SHBA-ja

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se dje është dorëzuar kërkesë në Komisionin Disiplinor të Ministrisë që të merren masa ndaj zyrtarit Nexhat Krasniqi, që është i sanksionuar nga SHBA-ja.

“Përmes zv. Sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dje rreth orës 13:00, kemi dorëzuar tek Komisioni Disiplinor i Ministrisë, kërkesën për marrjen e masave disiplinore ndaj nëpunësit civil, Nexhat Krasniqi”, ka shkruar Aliu në një postim në Facebook.

Nexhat Krasniqi është futur më 3 nëntor në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, me arsyetimin se është i përfshirë në korrupsion të madh.

“Duke pas parasysh raportet speciale mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, konsiderojmë se kji çështje duhet të trajtohet nga aspekti i përgjegjësisë disiplinore dhe shqiptimit të masave disiplinore, sepse konsiderojmë se paraqet shkelje të rëndë të detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara në Ligjin nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, konkretisht neni 56, paragrafi 4 dhe pika 7, ‘sjellja e papërshtatshme që dëmton reputacionin e shërbimit civil’”, është thënë në kërkesën që zëvendëssekretari i MMPHI-së, Izedin Bytyqi, ia ka drejtuar Komisionit Disiplinor të kësaj ministrie.

Po ashtu është thënë se ka arsye të besohet se ushtrimi i detyrës ndaj një nënpunësi që fillon procedura disiplinore, “pengon hetimin disiplinor dhe mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës. Kimisioni Disiplinor mund të vendosë pezullimin e përkohshëm të nëpunësit ose të marrë çdo masë tjetër të përshtatshme, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar”.