Shtesat e rrezikshmërisë: Kaq para merr një polic i patrullës si ai që u plagos dje në Suharekë

Një polic i Kosovës u plagos e një tjetër u lëndua të mërkurën në një përleshje me armë me një grup grabitësish që ishin duke plaçkitur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Të dy policët janë jashtë rrezikut për jetë.

Rreth një javë më parë, qeveria e Kosovës ka miratuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Ekzekutivi kosovar e ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.

Policët që kishin dalë në vendngjarje ishin në patrullë rutinë. Një polic i kësaj kategorie merr vetëm 60 euro shtesë të rrezikshmërisë në pagë.

Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, përkatësisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë.

Qeveria i kishte prezantuar më 27 tetor shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë. Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.

Në anën tjetër, kur kanë kaluar 24 orë nga plaçkitja e mbrëmshme, policia ende s’ka identifikuar të dyshuarit.