Kush është grupi i organizuar që vodhi arin në Suharekë?

    Grupi prej katër personash që si në pamje filmash u ballafaqua me policinë në Suharekë dhe në mes të ditës në këtë qytet vodhi arë prej mbi 250 mijë eurosh ende zyrtarisht nuk është identifikuar nga Policia e Kosovës, por informata të Albanian Post nga brenda njësiteve hetuese, bëjnë të ditur se tashmë ekzistojnë disa dyshime të para se për kë bëhet fjalë.

    Nga ajo që ka kuptuar AP grupi është i njëjti me atë që kishte shtënë në drejtim të policisë edhe para një kohe në qytetin e Ferizajt.

    Dyshohet se përbëhet nga ish-të burgosur me të kaluar kriminale të cilët janë liruar rishtazi nga burgjet e Kosovës dhe një pjesë tjetër nga persona, shqiptarë të Kosovës, që kanë marrë pjesë në luftëra në shtete të tjera jashtë Kosovës.

    Megjithatë, këto të dhëna ende nuk janë bërë zyrtare nga Prokuroria në Prizren që po heton rastin.

    Vjedhja e të mërkurës la të shtangur të pranishmit, por edhe ata që panë incizimet më pas. Për shkak të sjelljes me armët, veshjes, qetësisë në veprim, kohës kur ndodhte dhe organizimit të kriminelëve, shumë dëshmitarë okularë fillimisht kishin besuar se po bëhet fjalë për një bastisje nga Njësitet Speciale të Kosovës.

    Edhe uniforma që kishin veshur, e gjitha e zezë dhe me maska, linte përshtypjen fillestare që po bëhej fjalë për një grup profesionistësh dhe specialësh.

    Albanian Post ka kuptuar nga burime brenda policisë se grupi edhe kishte plan të qartë se si duhej kryhej vjedhja dhe përllogaritje të saktë të përmasave me të cilat stacioni policor në Suharekë mund t’iu përgjigjej.

    Përveç se numrit të vogël të policëve, ky stacion, si shumica e stacioneve të përmasave të njëjta në Kosovë, është i pa pajisur me armë të gjata, me zakonisht një ose dy vetura për patrullim, dhe për më tepër, edhe komunikimin e bëjnë përmes telefonit, për shkak të mos funksionimit të shpeshtë të radio-lidhjeve.

    Nga pamjet ekskluzive që ka publikuar Albanian Post, shihet se me t’u afruar dy policët që ishin thirrur në vendin e ngjarjes ekzistonte diferencë në armatim në raport me kriminelët.

    https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=420&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Falbanianpostofficial%2Fvideos%2F728569278685021%2F&show_text=false&width=560&t=0

    Derisa një nga policët tenton të ballafaqohet me armën e tij, revole, atij i vihet në kundërsulm një nga kriminelët me automatik AK 47.

    Kriminelët pasi kishin paketuar në veturë arin e vjedhur ishin nisur për një drejtim që në Suharekë njihet si “rrethi i Damperit” dhe nga aty, futja në të djathtë të lidhe më magjistralet, kurse drejtimi i majtë të çon në fshatin Sopi, kalohet në Bukosh, Vraniq, Budakovë, Jezercë dhe më pas në Ferizaj.

    Kjo është edhe rruga që dyshohet të kenë përshkruar kriminelët dhe në momentin kur ishte dhënë urdhër nga organet e rendit në Kosovë të formohet ajo që njihet si “unaza e çeliktë”, ata tashmë veç ishin larguar nga ajo pjesë.

    Albanian Post është informuar edhe se kriminelët në një pjesë të rrugës kishin lënë tela me gjemba çka kishte penguar një veturë të policisë të vazhdonte më tutje ndjekjen.

    Rasti në Suharekë, veç të tjerash, ka shpërfaqur një problem që brenda policisë dihet prej kohësh, numrin e vogël të patrullave dhe policëve në stacione.

    Sipas kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i cili foli për Albanian Post, “ka nevojë për policë shtesë në çdo komunë, jo vetëm në Suharekë”.

    “Ka nevojë sepse dihet se ka pak patrulla dhe duhet të rritet numri i tyre shumë me shumë”, tha Zeqiri për Albanian Post.

    Për një kategorizim tjetër sa i përket numrit të policëve flet edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

    “Reagimi i policëve ishte i menjëhershëm dhe profesional, por në raport me momentin ata ishin të përgatitur edhe me armatim. Policët janë të caktuar në stacione policore varësisht se sa e shohin nevojën për prezencën e tyre në disa pjesë, duhet të kemi standarde evropiane për kategorizimin e numrit të zyrtarëve policorë në disa pjesë”, deklaron Ibishi për Albanian Post.

    Hetimet intensive të Prokurorisë po vazhdojnë, derisa është bërë e ditur se kanë disa pista dyshimi.