Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të dyshuarve, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, të cilët janë arrestuar si të dyshuar për dhënie të ndihmës personave gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes.

Beqiri dhe Tahiri janë arrestuar në lidhje me rastin e grabitjes që ka ndodhur në Suharekë më 22 nëntor.

Atë ditë, katër persona të maskuar dhe të armatosur kishin kryer grabitje në argjendarinë “Diakos” në qendër të qytetit.

Një polic ishte plagosur e një tjetër ishte lënduar pasi kishin shkuar në vendin e ngjarjes ku po ndodhte grabitja.

Të dyshuarit kishin shtënë në drejtim të policëve para se të iknin me veturë në një rrugë që çon drejt Budakovës, rrugën e cila të çon drejt rajonit të Ferizajt.

Dy ditë pas grabitjes, vetura që ishte përdorur nga grabitësit ishte gjetur e hedhur në një greminë.

Në lidhje me rastin janë arrestuar tre persona të dyshuar.

Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri janë arrestuar të shtunen, ndërsa një i dyshuar është arrestuar dje.

Dje në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca paraprake ndaj dy të dyshuarve të parë.

Gjykata e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

KALLXO.com raportoi se pas caktimit të masës së paraburgimit, dy të dyshuarit janë dërguar në Burgun e sigurisë së lartë në Dyz të Podujevës.

Ndërkohë, KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë për dy të pandehurit.

Sipas dosjes, Albin Beqiri kishte blerë 10 numra të telefonisë mobile “Ipko” në Mitrovicë dhe ia kishte dorëzuar Fatmir Tahirit.

Në dosje thuhet se njëri prej këtyre numrave ishte përdorur për të kontaktuar pronarin e veturës nga i cili dyshohet se grabitësit e blenë veturën që u përdor gjatë grabitjes.

Në dosje theksohet se grabitësit nga i njëjti aparat telefonik që e përdorën këtë numër komunikojnë mes vete gjatë dhe menjëherë pas grabitjes.

Si ndodhi e gjithë ngjarja?

Më 22 nëntor 2023 në qytetin e Suharekës katër persona të maskuar e armatosur kryen një grabitje në argjendarinë “Diakos”.

Pamjet që dolën nga ky rast u komentuan si ngjarje filmash. Në videot e publikuara shihen persona me maska në fytyrë me rroba me ngjyrë të zezë e me armë të gjata në duar.

Personat e armatosur në momentin që dëgjuan policinë teksa afrohet te vendi i ngjarjes filluan të organizohen për t’u larguar nga vendi ku kryen krimin.

Njëri prej tyre, me armë të gjatë në dorë largonte qytetarët që lëviznin në atë zonë, përderisa bashkëpunëtorët e tij bëheshin gati të lëviznin.

Gjuajtje me armë u dëgjuan, e si pasojë i plagosur mbeti edhe një polic, e po ashtu një tjetër u lëndua.

Dëmi që është bërë në këtë argjendari vlerësohet të jetë mbi 200 mijë euro.

Vetëm dy ditë pasi që ndodhi ngjarja, Policia e Kosovës arriti të gjejë veturën e cila ishte përdorur në rastin e vjedhjes.

Vetura ishte thënë se është gjetur në një humnerë, në fshatin Jezerc.

Më pas, më 25 nëntor 2023, policët arrestuan dy të dyshuarit e parë, përderisa lajmi për arrestimin e të dyshuarit të tretë u bë i ditur sot.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT