“E kam thy dritaren edhe përmes kulmit…”/ Si rrëfente Bujar Basha për arratisjen e tij nga burgu i Prizrenit

Njëri prej të arrestuarve në operacionin policor për kapjen e grupit kriminal që kryen grabitjen e armatosur, javën e kaluar në Suharekë, Bujar Basha – emër i njohur për organet e rendit, për shkak të të kaluarës së tij të bujshme. Ai ra në prangat e Policisë pas një aksioni të gjerë, nën dyshimin se bashkë me tre persona të tjerë arritën të vjedhin ari në vlerë të 250 mijë eurove, raporton Gazeta Sinjali.

Basha, shumë vite më parë ishte protagonist i një interviste, ku rrëfente për arratisjet spektakolare të tij nga burgjet e Kosovës.

I arrestuari i sotëm nga polica para disa vitesh tregonte se si a ka arritur të arratisej dy herë nga burgu i Dubravës dhe dy herë nga ai i Prizrenit.

Basha kishte rrëfyer për arratisjen e tij të parë nga burgu i Prizrenit, ku fillimisht kishte kthyer dritaren e dhomës ku ndodhej dhe aty kishte dalë nga kulmi i burgut. Ai gjithashtu kishte përmendur edhe dobësinë e stafit mbikëqyrës.

“Gjatë kësaj kohe unë jam arratis 4 herë prej burgut. Jam arrestu, kam ik, jam arrestu, jam ik…Dy herë prej burgut të Prizrenit, dhe dy herë prej burgut të Dubravës. Herën e parë kur jam arrestuar në Prizren, pas 15 ditëve jam arratis prej burgut. E kam thy dritaren edhe përmes dritares në kulm, prapa zjarrfiksave, edhe jam arratis. Ka pasur roje, por kjo ka qenë aftësi tash. E kam përcjell atë momentin e dobët të stafit, të gardianit kur s’ka mujt me më pa, edhe kam ikë”, kishte thënë Bujar Basha në një invervistë për Betimi për Drejtësi.

Ndryshe në  konfrontimi i Policisë me grupin kriminal sot, bilanci total shkon në një grabitës i vrarë, një polic i plagosur dhe 7 të arrestuar.