Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Viktoria Plzen ka thënë se ky ishte maksimumi që mund të bënte Ballkani, duke marrë parasysh mungesat që i kishin për këtë ndeshje.
Ballkani pësoi humbje me rezultat 1-0 ndaj Plzenit në “Air Albania”, në ndeshjen e parafundit të grupit C në Ligën e Konferencës.
Daja vlerësoi paraqitjen e futbollistëve të tij në pjesën e parë por duke theksuar që në të dytën nuk mundi të freskojë disa repartë për shkak të mungesës së kontigjentit të lojtarëve.
“Ka qenë një pjesë e parë e luajtur shumë mirë, kemi pasur probleme me mungesat, por kjo nuk është për të justifikuar humbjen, por aty ku do të mund të kishim freskuar ekipin në fund të pjesës së dytë në i kishim tre lojtarë të lënduar. Në një moment të tillë kur kërkon të freskosh ekipin në ato pozita ku edhe mundesh ta kërkosh fitores nuk ke opsione”.
“Në fund fare, është pjesë e këtij rrugëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, jo vetëm për ekipin por sidomos për lojtarët si Dellova, Zyba e Kuç që nuk kanë pushuar asnjë ditë për shkak të angazhimeve me përfaqësuese. Ky është maksimumi në mungesë të kontingjentit të lojtarëve, pasi lëndimi i Kryeziut në stërvitjen e fundit, na bëri të ndryshojmë gjërat”.
“Nuk duhet harruar se përballë kishim një ekip me përvojë të madhe në garat evropiane, ndërsa për ne është vetëm viti i dytë në Evropë”, është shprehur Daja.