Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka thënë se ky ishte maksimumi i ekipit të tij përball Viktoria Plzenit, duke pasur parasysh mungesat e lojtarëve që i kishte për këtë ndeshje.
Ballkani pësoi 1:0 nga Plzeni në Tiranë, në ndeshjen e parafundit të Grupit C të Ligës së Konferencës.
Pas ndeshjes trajneri i Ballkanit, tha se ekipi i tij pati një paraqitje të mirë, sidomos në pjesën e parë por në të dytën nuk arriti ta freskojë ekipin në pozitat ku do të kishte mundur ta synonte fitoren ndaj Plzenit – në krahë.
“Ka qenë një pjesë e parë e luajtur shumë mirë, kemi pasur probleme me mungesat, por kjo nuk është për të justifikuar humbjen, por aty ku do të mund të kishim freskuar ekipin në fund të pjesës së dytë në i kishim tre lojtarë të lënduar. Në një moment të tillë kur kërkon të freskosh ekipin në ato pozita ku edhe mundesh ta kërkosh fitores nuk ke opsione. Në fund fare, është pjesë e këtij rrugëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, jo vetëm për ekipin por sidomos për lojtarët si Dellova, Zyba e Kuç që nuk kanë pushuar asnjë ditë për shkak të angazhimeve me përfaqësuese. Ky është maksimumi në mungesë të kontingjentit të lojtarëve, pasi lëndimi i Kryeziut në stërvitjen e fundit, na bëri të ndryshojmë gjërat. Nuk duhet harruar se përball kishim një ekip me përvojë të madhe në garat evropiane, ndërsa për ne është vetëm viti i dytë në Evropë”, është shprehur Daja.