Gjilani dhe Ballkani mbyllin sot stinorin vjeshtor në Superligë, lideri kërkon rikthimin te fitorja

Sot do të zhvillohet ndeshja e fundit e stinorit vjeshtor të Albi Mall Superligës në Futboll.

Gjilani do t’i bëjë konak kampionëve të Kosovës, Ballkani, sot me fillim nga ora 12:00.

Ndeshja i përket xhiros së 13-të, e cila ishte shtyrë për shkak të angazhimit të Ballkanit në garat evropiane.

Kampioni i Kosovës, Ballkani ndodhet në një krizë rezultatesh në kampionat, ku ndodhet pa fitore në tri ndeshjet e fundit, me dy humbje e një barazim.

Gjilani ndërkohë ka pësuar disfatë në dy ndeshjet e fundit, ndaj Dritës e Dukagjinit, ku ndodhet në pozitën e 8-të me 17 pikë.

Suharekasit ndodhen si lider me 39 pikë, 5 më shumë sesa përcjellësit Llapi e Drita me nga 34 pikë, teksa me një fitore potenciale sot, do të mbyllte sezonin vjeshtor me 8+ pikë ndaj përcjellësve.